Dhuna në Kuvend, kërkohet miratimi i Kodit Etik


E diel, 21 Shtator 2014

Shkup – Pas incidentit të ndodhur disa javë më parë, në Kuvend, është rikthyer në qendër të debatit nevoja e miratimit të Kodit Etik të deputetëve.

Dokumenti që përcakton sjelljen e të zgjedhurve në ambientet e institucionit ligjvënës, ka kohë që është paralajmëruar të hartohet, por thuajse dy vite pas ngjarjes së 24 dhjetorit, nuk është gjendur ende në tavolinat e punës të partive parlamentare.

Çështja e tillë është aktualizuar nga koordinatori i Grupit Parlamentar të BDI-së Talat Xhaferi, i cili në një deklaratë për mediet maqedonase, thekson nevojën e miratimit të Kodit Etik.

“Sjellja e disa deputetëve është jashtë çdo norme të pranueshme jo vetëm për sjelljen në Kuvend, por edhe për atë jashtë tij”, thotë deputeti shqiptar, për Telegraf, transmeton Zhurnal.

Ai nënvizon se, megjithatë, miratimi i Kodit Etik, në mungesë të opozitës, nuk do të ishte funksional.

Kodi Etik u paralajmërua të hartohet dhe miratohet fill pas ngjarjes së 24 dhjetorit të vitit 2012, por paralajmërimet e tilla nuk janë përmbushur ende, sido që në maj të këtij viti, kryetari i Kuvendi Trajko Veljanovski tha se dokumenti do të miratohet nga përbërja e re.

Burime të medieve maqedonase pranë Kuvendit thanë se, deri sot, ky përcaktim i kryeparlamentarit nuk ka arritur ende të marrë trajtën e dokumentit të shkruar./zhurnal/

Etiketa: