Ahmeti: Nuk jemi fajtorë nëse dikush ka ndjenja urrejtje e fashiste ndaj nesh


E martë, 21 Tetor 2014

Prishtinë – Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ndonëse i ngarkuar me punë të kryeqytetit, nëpërmjet Facebook, po gjen kohë “të merret edhe me çështje të mëdha politike”.

Shkrimi i tij i plotë në Facebook:

Nuk e kuptoj se pse debati po zhvendoset në atë se kush është për bashkim kombëtar e kush nuk është, a ka dashuri në mes të Kosovës e Shqipërisë. Si gjithmonë po e kërkojmë fajin tek vetja. Këtë mentalitet të viktimës duhet ta heqim sa më parë.

Ne duhet dënuar fashizmin që nuk bën dallim mes neve, por na gjeneralizon si shqiptarë që duhet vrarë (i gjithë stadiumi), si shqiptarë që nuk jemi të denjë për shtet (Nikoliq) dhe si jo-njerëz.

Prandaj mos te zhvishemi nga ajo që jemi duke menduar se po të jemi ndryshe do të na duan edhe të tjerët.

Kjo nuk nënkupton as thirrje për luftë, as thirrje për urrejtje të kombeve tjera e as destabilizim të regjionit. Kjo nënkupton veçse një mbrojtje të dinjitetit tonë, mbrojtje të barazisë në mes të kombeve e shteteve.

Nuk e pranoj si normale thirrjen për vrasjen e të gjithë shqiptarëve. Por edhe po të pranoja që këta janë vetëm disa huliganë që gjithmonë bërtasin njëjtë, atëherë si mund ta pranojë qëndrimin zyrtar të Beogradit për ngjarjet. Jo, Jo dhe Jo.

Flamuri me simbole kombëtare nuk ishte flamur kombëtar. As nuk ishte flamur i Shqipërisë së “madhe”. As nuk kishte emërtime. Ishte veçse një hartë e vendeve ku jetojnë shqiptarët bashkangjitur me fjalen autokton. Shumë prej neve këtë e morrëm vesh pas lojës, e besoj që ata në stadium edhe më pak e kanë ditur se çka është. Prandaj mos kërkoni arsyetimin e qëndrimit fashist në atë flamur.

A do të thotë kjo se ne shqiptarët i kemi punët mirë dhe duhet të mburremi me atë çka kemi sot? Absolutisht jo. Ne kemi probleme me korrupcion, krim të organizuar, mungesë të zhvillimit ekonomik, e mungesë të barazisë. Këto janë gjëra cilat duhet pranuar e pastaj duhet punuar në përmirësimin e tyre.

Por, të ndalim fajësimin e njëri tjetrit për identitet. Nuk jemi në fajtorë pse dikush tjetër ka ndjenja urrejtje e fashiste ndaj neve vetëm pse jemi shqiptarë.

Etiketa: