400 vjetori i xhamisë së Sinan Pashës


E martë, 17 Shkurt 2015

Autor: Faik MIFTARI

Xhamia e Sinan Pashës është perla e qytetit të Prizrenit e cila gjendet në qendër të qytetit, në Shatërvan, buzë lumit Lumbardhë, në një pozitë grandioze, dhe lirisht mund të them se është xhamia më e bukur jo vetëm në Prizren por edhe në Kosovë dhe më gjerë në Ballkan. Xhamia e Sinan Pashës është njëra prej xhamive më të njohura, më të rëndësishme të qytetërimit islam në trojet shqiptare. Xhamia e Sinan Pashës ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1615 dhe tani pasi që gjendemi në vitin 2015 është përvjetori jubilar i saj, 400 vjetori i ndërtimit të xhamisë së Sinan Pashës.

Ndërtuesi i xhamisë ishte Sofi Sinan Pasha i cili është me prejardhje shqiptare nga fshati Vilë të rajonit të Lumës së Shqipërisë. Shpesh herë hulumtuesit dhe studiuesit e ndryshëm e kanë përzier me Koxha Sinan Pashën i cili po ashtu ishte me prejardhje shqiptare nga fshati Topojan i rajonit të Lumës së Shqipërisë, po për dallim nga Sofi Sinan Pasha ai ishte më i vjetër dhe kishte vdekur 20 vjet më parë (1595). Sinan Pasha ishte ushtarak i lartë që kishte marrë grada dhe tituj të lartë gjatë shërbimit në Perandorinë Osmane. Që nga shkuarja e tij në Stamboll ai kishte bërë karrierë të famshme ushtarake, ishte bejlerbe i Budapestit, i Kajros, dhe i Bosnjës, gjatë një kohe kishte shërbyer edhe si vezir (ministër) Divani, i Portës së Lartë. Në vitin 1607, vetëm një vit kishte qëndruar në postin e valisë në Bosnjë, dhe më pas emërohet vali (guvernator) i Shamit (Damaskut). Rreth vitit të vdekjes së tij janë dy data, njëra se pas shkuarjes në Sham(Damask) në vitin 1608 kishte ndërruar jetë , edhe pse kjo më pak është e besueshme, pasi që xhamia e Sinan Pashës përfundoi së ndërtuari në vitin 1615, dhe nuk është fare e logjikshme të besojmë se xhamia e tij ishte ndërtuar shtatë vite pas vdekjes së tij. Versioni i dytë i vdekjes së tij është, se kishte vdekur në Stamboll në vitin 1615, dhe ishte varrosur në një tyrbe (mauzolej) në lagjen Tophane të Stambollit. Ky versioni i vitit të vdekjes së tij është më i logjikshëm dhe më i pranueshëm. Sinan Pasha fillimin e ndërtimit të xhamisë së tij e nisi në vitin 1607 gjersa ishte në pozitën e valiut(guvernatorit) të Bosnjës, dhe përfundoi së ndërtuari në vitin 1615, pas plot 8 vitesh.

Lidhur me ndërtimin e xhamisë së Sinan Pashës, disa historianë dhe studiues serb, të ushqyer nga legjenda dhe mitologjia serbe, kanë pohuar se Sinan Pasha e kishte rrënuar Manastirin e Shën Arkangjelit, që gjendej 3 km nga Prizreni, të cilin e kishte ndërtuar perandori serb car Dushani , në të cilin ishte varrosur pas vdekjes së tij. Por e vërteta ishte krejtësisht ndryshe, gjatë kohës së ndërtimit të xhamisë, manastiri gjendej në rrënoja, dhe Sinan Pasha i kishte blerë gurët e rrënojave të Manastirit të Shën Arkangjelit nga serbët e atëhershëm dhe paria fetare e tyre. Këtë të vërtet e vërtetojnë edhe disa studiues dhe hulumtues serb si dhe konsulli rus i atëhershëm Jastrebovi.

Jastrebovi shkruan se në kohën e ndërtimit të xhamisë manastiri ka qenë i rrënuar, dhe se serbët nuk do të mund ta rindërtonin manastirin, pasi që as nuk e ruajtën vet ata nga rrënimi. Njashtu edhe hulumtuesi Radomir Grujiçi thotë se manastiri kishte filluar të rrënohet plot një shekull më parë, që nga viti 1519.

I gjithë ky mllef dhe neveri ndaj xhamisë së Sinan Pashës i ushqyer nga miti i rrejshëm serb shekuj me rradhë, ishte prezent edhe në fund të shekullit XX, me rastin e arritjes së kulminacionit të nacionalizmit serbomadh, të cilin e përmend edhe në letrën e tij Vuk Drashkoviçi dërguar shkrimtarit shqiptar Ismail Kadaresë me 18 qershor 1987 në Tiranë , ku përveç tjerash thotë: ” Një grua serbe e ka lindur shqiptarin e njohur (arnautin), Sinan Pashën, i cili i ka djegur eshtrat e Shën Savës, dhe e ka rrënuar tempullin e Shën Arkangjelit në Prizren, dhe nga gurët e mermerit, nga eshtrat e këtij trashëgimi madhështor të të parëve, ka ndërtuar xhaminë”. Të njëjtën gjë e kishte premtuar adhuruesve dhe simpatizantëve të vet serb viteve 90- ta, lideri radikal serb Vojisllav Sheshelj, në një tubim promovues të partisë së tij të mbajtur në shtëpinë e kulturës në Prizren, ku përveç tjerash ceku: ” se kur të vie në pushtet, së pari do ta rrënojë xhaminë e Sinan Pashës në Prizren”. Gjatë ekzistencës së saj 400 vjeçare xhamia e Sinan Pashës ka përjetuar në njëqind e vjetët e fundit disa rreziqe për rrënimin dhe mbylljen e saj, që nga viti 1912 pas largimit të Perandorisë Osmane, si dhe okupimin serb të Kosovës nga fundi i vitit 1912 kur edhe Prizreni ra në duart e pushtuesve serb. Përpjekja e parë për rrënimin e xhamisë së Sinan Pashës ishte me 29 nëntor të vitit 1915, me ç’rast ndodhi një shpërthim i madh nga të cilët si pasojë pati dëmtime të mëdha në enterierin dhe muralet e brendshme të xhamisë. Përpjekja e dytë për rrënimin e xhamisë së Sinan Pashës ishte gjatë viteve 1920-1922 me ç’rast pushteti i atëhershëm lokal serb do të provojë që të rrënojë këtë xhami, por myftiu i atëhershëm i Prizrenit Hafiz Rustem ef. Shporta kishte organizuar demonstrata masive disaditore të xhematit dhe qytetarëve të Prizrenit në mbrojtje të saj, edhe përkundër rrënimit të pjesshëm të xhamisë, hajatit të saj të jashtëm dhe tri kupolave përcjellëse të jashtme , në saje të veprimit të guximshëm të myftisë së atëhershëm të Prizrenit, si dhe xhematit dhe qytetarëve të Prizrenit, arriti kjo xhami madhështore të shpëtojë, nga më të bukurat në rajon, pasi që pas kësaj rezistence të xhematit dhe qytetarëve të Prizrenit, pushteti serb lokal hoqi dorë nga rrënimi i xhamisë së Sinan Pashës. Pas ardhjes së pushtetit komunist në Prizren, pas luftës së dytë botërore, xhamia e Sinan Pashë nuk u rrënua, por gjatë gjithë kohës,gati 50 vjeçare, ishte jashtë funksionimi të saj për kryerjen e namazeve(faljeve), ditore, javore, mujore dhe vjetore. Në vitin 1948 ishte vendosur në mbrojtjen e shtetit, ndërsa në vitin 1952 kishte filluar konservimi i saj i brendshëm nga Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Prizrenit,ashtu që në vitin 1968 u hap si muzeu i dorëshkrimeve orientaleve, por një vit më vonë me kërkesën e kreut më të lartë fetar mysliman në ish Jugosllavi, Reis ul Ulemas, i u kthye në posedim dhe mirëmbajtje të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit me vendimin gjyqësor. Në vitin 1972 ishte kryer riparimi i kubes (kupolës) qendrore dhe konservimi i kaligrafisë (bukurshkrimit) arabe të dëmtuara në brendi të xhamisë me rastin e shpërthimit të eksplozionit në vitin 1915 brenda xhamisë

Me datë 31Korrik 2011 u zhvillua ceremoniali i rihapjes së xhamisë së Sinan Pashës pas restaurimit detaj të saj, që nisi në vitin 2007 dhe përfundoi me sukses . Restaurimi u krye me mbështetjen financiare nga organizata qeveritare turke TIKA, ndërsa punët restauruese janë zhvilluar nën mbikëqyrjen e organit mbikëqyrës të përbërë nga ekspertët e kësaj fushe restauruese nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, si dhe Drejtoratit të Përgjithshëm të Vakëfeve të Turqisë. Gjatë këtij restaurimi u rindërtua hajati dhe tri kube (kupola) të vogla përcjellëse që ishin rrënuar gjatë tentimit të rrënimit të xhamisë nga pushteti i atëhershëm lokal serb. Përveç kësaj është kryer edhe restaurimi i brendisë së xhamisë. Gjatë vitit 2013, poashtu me mbështetjen e organizatës qeveritare turke TIKA, është rregulluar edhe oborri prapa xhamisë, ashtu që tani objekti si i tillë paraqet një kompleks per exellent në Kosovë dhe më gjerë. I mbetet tani Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit që të funksionalizojë dhe të ve në shërbim një varg objektesh përcjellëse të ndërtuara në oborrin e xhamisë, e sidomos në mirëmbajtjen nga dëmtimet eventuale që mund të ndodhin nga pakujdesia dhe neglizhenca e xhematit, qytetarëve, dhe turistëve të shumtë që e vizitojnë këtë xhami, si trashëgimi kulturore historike me rëndësi primare në qytetin historik të Prizrenit.

Xhamia e Sinan Pashës me pozicionin e saj të mrekullueshëm, gjendet nën Kalanë historike të Prizrenit , me kuben e sajë qendrore, e tani edhe me tri kube më të vogla përcjellëse të rindërtuara rishtas dhe me minaren e hollë dhe të lartë, përbën objektin dominues në qytetin e Prizrenit. Xhamia si e tillë, përmban specifika të artit klasik osman me qendër në Stamboll dhe është një nga veprat estetike të rralla në Ballkan. Me dekorimet e brendshme , xhamia është një prej shembujve më të bukur të artit dekorues në Ballkan. Përveç dekorimeve klasike në xhami dominojnë edhe dekorimet e stilit barok të shekullit XIX. Në pjesën e majtë të mihrabit është ruajtur mbishkrimi i saj ku shkruan” tarihi bina-misali xhenet-1024” që do të thotë” ndërtesa historike- vend xhenneti-1615”. E veçanta e saj është brendia e saj në të cilin me një mjeshtëri të rrallë është zbukuruar me kaligrafi (bukurshkrim) të bukur arabe, të ajeteve ( verseteve) kuranore të shkruara.

Kubja (kupola) qendrore e saj është në lartësi nga sipërfaqja e tokës
20 m, minarja e saj është e lartë 42m, janë gjithsejtë 42 dritare dhe një derë hyrëse brenda xhamisë. Sipërfaqja e gjithëmbarshme e kompleksit përshin 3.126 m2, nga e cila hapësira e brendshme e xhamisë përfshin 371 m2, ndërsa oborri përreth saj është i shtrirë në sipërfaqe prej 2.755 m2.

Pasi që sivjet është viti jubilar i xhamisë së Sinan Pashës, 400 vjet nga ndërtimi i saj, do të ishte e udhës që Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit të shënojë këtë përvjetor të çmuar të kësaj xhamie, me një tryezë apo sesion shkencor, akademi rasti dhe me një manifestim të pasur fetar-kulturor.

Literatura e konsultuar:


Vırmiça, Raif “Prizren camileri”, Prizren, 1996
Miftari, Faik “Feja, shpresa dhe qëndresa”, Prizren, 2013
Vırmiça, Raif “Menakib, Haci Mehmet Tahir Efendi’’, Prizren, 2001
Rexhepi,Resul&Mehmeti, Sadik ”H. Rrystem ef. Shporta-Monografi”,
Prishtinë, 2010.
Krasniqi, Nehat” Hronika(Menakib) e Mehmet Tahir Efendiut”,
Edukata Islame nr. 57, Prishtinë, 1995.
Kaleshi, Dr.Hasan”Veziri i madh, Koxha Sinan Pasha”, Edukata
Islame nr. 82, Prishtinë, 2007.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa: