Mustafa godet opozitën, ua përmend kooperativat e kazinotë


E hënë, 2 Mars 2015

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka një mesazh për të gjithë ata që kanë dalë kundër programit të ri qeverisës. Theks të veçantë këtu ka vënë te dy partitë opozitare AAK’ja e VV’ja të cilave ua ka përmendur kooperativat dhe kazinotë.

Përmes një statusi në Facebook ai ka sqaruar që ky program nuk do t’u pëlqejë atyre që janë mësuar të përfitojnë lehtas nga taksat e qytetarëve, tenderët, si dhe sipas Mustafës, nuk do t’u pëlqejë dhe do t’ua prejë shpresat atyre firmave që kanë krijuar monopol në treg.

“Nuk iu pëlqen atyre që nuk e kanë lexuar dhe nuk kanë shprehi të lexojnë, por kanë shprehi të flasin. Atyre që janë mësuar të fitojnë lehtë; që kanë fituar me tenderë nga parat publike; atyre që kanë bërë pasuri pa qenë as industrialist e as fermerë të mëdhenj, por që për standard të lartë mund t’ua kenë lakmi këta të parët. As atyre që mendojnë ti kthejnë kooperativat dhe shtetëzimin si sistem ekonomik por as pronarëve formal e aq më pak atyre në hije të Casino-ve e kumarhaneve, të makinave të lojërave të fatit, që po ua marrin edhe ato pak para që u kanë mbet të varfërve. Ky program ua prenë shpresën edhe atyre firmave që kanë krijuar monopol, sepse e rregullon dhe e liberalizon tregun. Nuk do t’iu pëlqej edhe shumë zyrtarëve, të cilët duke interpretuar ligje kundërthënëse u kanë vënë rregulla të veta bizneseve dhe qytetarëve. Nuk u pëlqen edhe atyre ndërkombëtarëve, të cilët kanë dëshirë që edhe njëqind vjet të rrinë në Kosovë me fonde të taksapaguesve të vendeve tjera, duke u thirr se këtu ka korrupsion e krim të organizuar por duke mos bërë asgjë që ky vend të zhvillohet”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ndër të tjera, Mustafa ka bërë të ditur se kujt do t’i ndihmojë ky program i ri qeverisës.

“Programi hapë perspektivë zhvillimore. Do t’u pëlqejë bujqve tanë, sepse do të fitojnë duke i punuar tokat e tyre; do t’u pëlqej firmave që janë privatizuar, sepse mund të shndërrohen në asete ekonomike e zhvillimore; do t’u pëlqej të rinjve e grave, sepse do të përkrahen nga fondet zhvillimore dhe ato të garantimit të kredive; do t’u pëlqej familjeve dhe bizneseve, sepse do të kenë energji të rregullt elektrike; do t’u pëlqej qytetarëve sepse do të forcoj shtetin e së drejtës; do t’u pëlqej nxënësve, studentëve, punonjësve të arsimit e prindërve sepse do të sigurojë një arsim cilësor të orientuar kah dija; do t’u pëlqej njerëzve me problem shëndetësore, sepse do të kenë spitalet e tyre për tu mjekuar e nuk do të detyrohen të shkojnë jashtë; do t’u pëlqej atyre që janë pa punë dhe atyre që do të hyjnë në tregun e punës, sepse krijon vende të punës dhe perspektivë për jetesë; do t’u pëlqej shqiptarëve, serbeve, turqve, boshnjakëve, romëve, ashkalive, egjiptasëve, malazezëve, kroatëve; myslimanëve, katolikëve e ortodokseve, sepse të gjithë do të kenë më pakë probleme kur njerëzit punojnë dhe jetojnë nga puna e tyre. Ky program u pëlqen edhe miqve tanë që përkrahën pavarësimin e Kosovës, ndërtimin tonë demokratik, ShBA-ve dhe shumë vendeve të tjera demokratike”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, kryeministri ka thënë se moto e këtij programi qeverisës do të jetë “Të jetojmë nga puna jonë dhe dija jonë. Ta ruajmë dinjitetin dhe krenarinë tonë! Të mburremi se jemi njerëz të Kosovës dhe që po punojmë për Kosovën”.

Mustafa ka thënë se ky program përmbushet, pasi në qeverinë e vendit janë dy partitë me përkrahjen më të madhe të qytetarëve, të shprehur në zgjedhjet e fundit./GazetaTribuna/

Etiketa: , , ,