Koment mbi “raportin për shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak”


E shtunë, 18 Prill 2015
Olsi Jazexhi

Olsi JAZEXHI

1.
Këto ditët e fundit kam lexuar me kërshëri raportin që Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me në krye Shpend Kursanin ka bërë mbi “shkaqet dhe pasojat e përfshierjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak.” Raporti në fjalë i cili është sponsorizuar drejtëpërdrejtë nga ambasada amerikane në Prishtinë dhe me fonde të Departamentit Amerikan të Shtetit është një nga studimet më të mira që kam lexuar për fenë në Kosovë deri më sot. Në këtë studim Kursani është ndihmuar nga Skender Perteshi, Flamur Sallahu, Catherine Lefèvre, Krenare Loxhaj etj. Përkthimi në shqip i tij nga Gazmend Bërlajolli është jo shumë i mirë. Megjithë gabimet e tij të cilat do i kritikojmë më poshtë, studimi tregon që autorët kanë shpenzuar goxha para, kohë dhe mund për të analizuar tensionin apo më saktë luftën e ftohtë që ekziston në shoqërinë kosovare ndërmjet laikëve të cilët Amerika ka instaluar në pushtet dhe pjesës fetare të shoqërisë kosovare e cila e urren apo të paktën e rrefuzon sundimin e huaj dhe laicist të vendit.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë e cila siç tregon edhe në faqen e saj online, paguhet nga National Endoument for Democracy, Fondi Marshall etj është një krah i CIA-s dhe Departamentit të Shtetit në Kosovë. Si një organizatë që sponsorizohet nga maja e pushtetit amerikan, studimi i saj më i fundëm tregon shqetësimin që qarqet sunduese amerikane kanë për manaxhimin e Kosovës dhe nënshtrimin e muslimanëve kosovarë.

2.
Studimi i QKSS duhet lexuar nga çdo studiues i shkencave sociale, por edhe besimtar musliman që jeton në Ballkan. Ai na ndihmon të kuptojmë obsesionin që perëndimorët kanë për të kuptuar Islamin në Kosovë, dhe në të njëjtën kohë tregon nivelin e kolaboracionizmit që shumë hoxhallarë selefij / vehabij kanë nisur të bëjnë me projektet e spiunazheve perëndimore në rajon. Raporti për ata që dinë të lexojnë mes rrjeshtash tregon për nivelin e gjerë më kolaboratorë që agjencitë e spiunazheve kanë ndërtuar me besimtarë dhe hoxhallarët shqiptarë. Raporti tregon që në Ballkan muslimanët nuk janë të lirë të praktikojnë fenë e tyre, por kontrollohen dhe manipulohen nga perëndimorët.

Autorët e QKSS, studimin e tyre e kanë shtrirë në tre vende kryesisht; në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Ata kanë bërë një punë kërkuese të madhe në terren – pasi kanë kontaktuar me pothuajse të gjithë hoxhallarët kryesorë selefij – që tani janë bërë pjesë e proçesit të “asimilimit dhe zbutjes” së muslimanëve rebelë në Ballkan. Kush ka lexuar librin e Baba Selim Kaliçanit – Bektashizma një sekt mistik i Islamit – ku Baba Selimi tregon sesi Sigurimi i Enver Hoxhës arriti të bëj spiunë dhe kolaboracionistë shumë klerikë në kohën e tij, kur ta lexojë studimin e QKSS-së do ti duket sikur po sheh një Deja vu në vitin 2015. Si në vitet 1960 kur në Shqipëri shumë klerikë refuzuan t’i nënshtrohen komunizmit, por në anën tjetër shumica pranuan që ti nënshtrohen regjimit i cili më pas i shpërblente me poste dhe para, edhe studimi i QKSS-së tregon të njëjtën gjë. Besimtarët në Kosovë dhe hoxhallarët, janë ndarë në dy kampe. Njëri është vënë në shërbim të pushtetit dhe i thotë amin çdofarë gomarllëku të tij, ndërsa një grup tjetër vazhdon të jetë refuzues.

3.
Siç është bërë e njohur nga mediat, shqetësimi kryesor i punëtorëve të CIA-s në Prishtinë (apo QKSS-së) sikur edhe qeverisë kosovare dhe ambasadave perëndimore që e drejtojnë vendin është “radikalizimi” dhe “deradikalizimi” i muslimanëve. Sipas vizionit islamofob perëndimor, muslimanët që marrin pjesë në luftëra të armatosura – konsiderohen automatikisht si kriminelë, terroristë dhe radikalë. Dhe si pasojë duhen zbutur, burgosur apo edhe vrarë. Edhe pse një fakt i këtillë nuk bën logjikë, pasi fjala bie sot Kosova udhëhiqet nga disa ish-terroristë jugosllavë, sikur Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj etj, apo në Shqipëri shumë ushtarakë shqiptarë marrin pjesë nëpër luftërat terroriste të NATO-s nëpër botë dhe askush nuk i “deradikalizon” pasi kthehen nga lufta, kur vjen fjala te muslimanët diskursi islamofobik i perëndimorëve është që muslimanët që marrin pjesë në konflikte janë të gjithë radikalë – dhe si pasojë të rrezikshëm e duhen zhdukur, deradikalizuar apo zbutur. Qëllimi i studimit të QKSS-së ngrihet mbi këtë koncept racist, islamofob dhe militarist. Autorët rreken e vrasin mendjen si ti zbusin “egërsirat” dhe “terroristët” kosovarë që kanë luftuar në Siri dhe Irak – pa lejen e NATO-s.

Për të bërë një gjë të këtillë, Shpend Kursani është ndihmuar nga disa rrjete spiunërish në Ballkan të cilët e kanë lidhur me turlifarë besimtarësh, munafikësh, matrapazësh etj. Ai ka analizuar në mënyrë selektive disa (jo të gjithë) nga shkuesit në luftë në Siri, disa hoxhallarë, ligjërata në internet etj. Edhe pse autori është shumë i pasaktë në konkluzionet e tija për shkuarjen në Siri, meritë e studimit është se ai tregon se në Kosovë populli nuk e beson pushtetin që kanë instaluar perëndimorët. Shumica e popullit e do fenë, xhaminë dhe më shumë i beson hoxhallarëve dhe njerëzve të fesë sesa mafjes që sundon vendin. Studimi na lë të kuptojmë që sikur në Kosovë të kishte përnime demokraci, president i vendit nuk do të duhej të ishte Atifete Jahjaga, por Shefqet Krasniqi.

Ana pozitive e studimit është se ai tregon forcën që Islami dhe hoxhallarët kanë në Kosovë. Ata janë agjentë jo vetëm të moralit në shoqërinë kosovare, por edhe të modernizimit dhe urbanizimit të fshatarësisë. Autori tregon psh. sesi kur ndonjë kosovar humbet avionin, në vend që të pyesi autoritetet civile për këtë mesele, merr në telefon dhe pyet hoxhën. Ky shembull dhe plot të tjerë në tekst tregojnë që shoqëria kosovare është shumë fetare. Ajo është e lodhur nga sundimi kolonialist i perëndimit dhe Islamin e njerëzit që flasin për të, i sheh si shpëtimtarë. Këto fakte janë shqetësuese për elitën kolaboracioniste të Kosovës dhe arrestimet dhe sulmet masive që mediat bëjnë kundër Islamit dhe hoxhallarëve në Kosovë duket se lidhen me këtë fakt; pra që Kosova është shtet i dështuar, i korruptuar me institucione jo-funksionale, por xhamia dhe hoxha kanë forcë të madhe.

Një arritje e këtij studimi është edhe fakti që autori mundohet të qendrojë i distancuar nga konflikti i egër që ekziston në Kosovë ndërmjet pakicës laike dhe me pushtet dhe shumicës muslimane. Autori tregon sesi të gjithë grupet muslimane të Kosovës, si “të moderuarit”, “konservatorët” e deri te “radikalët”, janë të gjithë në një mendje – që Islami është nën sulm nga Perëndimi i krishterë dhe kjo sjellë mosbesimin e tyre ndaj regjimit dhe sponsorëve të tij amerikanë. Autori analizon si duhet edhe konfliktin mediatik që banda e Xhabir Hamitit ka ngritur kundër grupit të Naim Tërnavës. Ai e diskualifikon këtë konflikt si konflikt vlerash – siç e propagandon grupi i Xhabir Hamitit dhe Veton Surroit, apo si luftë e hanefizmit kundër vehabizmit – por tregon që ky është konflikt interesash dhe parashë. Në Bashkësinë Islame të Kosovës luftohet për para dhe jo për fe – siç Xhabir Hamiti u pretendon amerikanëve herë pas here kur i thërret në ndihmë që ta bëjnë kryetar të BIK-ut. Autori vë në pah që xhabirhamitërit e BIK-ut janë njerëz pa rëndësi në debatin mbi Islamin në Kosovë. Edhe hanefizmi që disa BIK-sa reklamojnë është pa influencën e duhur dhe nuk është solucioni i “zbutjes” së muslimanëve. Me të drejtë ai thekson, që në radikalizimin e muslimanëve nuk luan aq shumë rrol medhhebi – hanefi apo vehabi – por idetë që kanë njerëzit që praktikojnë këto sekte islame.

4.
Edhe pse Shpendi ka bërë një punë të mirë kërkimore në terren duke kontaktuar me hoxhallarë që kanë pranuar të luajnë bashkëpunëtorin, “deradikalizuesin” etj – kundër shokëve të tyre selefij, ai dhe ekipi i tij duket që janë xhahilë total mbi Islamin. Kjo shihet në mungesën e thellë të njohurive teologjike të QKSS-së mbi Islamin, sa që për të shkruar për Islamistët ndërkombëtarë ata mbështeten mbi një tezë masteri të një fashisti kosovar, Dimal Basha i cili nëpër shkrimet e tij i tregon të gjithë muslimanët si armiq dhe nazistë. Mosnjohja e Islamit nga QKSS-ja e ka dërrmuar studimin në fjalë nga ana kuptimore. Hoxhallarë selefij sikur A.K., M.T., H.B., R.E. dhe organizatat e tyre të cilat deri 2 vite më parë ulërinin për të bërë luftë në Siri dhe mallkonin shiitët e alevitët “që shajnë sahabët e për këtë duhen vrarë”, në studim tregohen si hoxhallarë të mirë dhe të moderuar.

Kursani dhe grupi i tij ose me qëllim ose nga padija i fshehin këto fakte. Kjo fshehje faktesh, dhe pretendimi i Kursanit dhe co se faj për dërgimin e shqiptarëve që të luftojnë në Siri ka vetëm grupi i Shukri Aliut e bën krejt raportin idiot dhe shkencërisht të gabuar. Hoxhallarët që akuzohen si të “këqijtë” janë Shukri Aliu, Rexhep Memishi, Genci Balla, Zekerija Qazimi e ndonjë tjetër. Më një analizë budallaqe dhe antishkencore këta akuzohen si tekfirë (grup i cili bën qafirë krejt muslimanët e tjerë), që kanë ardhur nga Shkupi dhe këta Islamin tekfir e kanë mësuar në Egjipt. Gjëja më e pabesueshme e raportit është konkludimi i Kursanit me shokë se Arabia Saudite dhe vehabizmi nuk ka faj në xhihadizimin e muslimanëve, por faj kanë Vëllezërit Muslimanë të Egjiptit. Apo edhe më fantastik është besimi nga ana e Kursanit e përrallave vehabiste që pretendojnë se tekfirët e sotëm kanë lidhje me Havarixhët e shekullit të VII që nuk ju bindën imam Aliut. Kur dikush lexon këto idiotllëqe në raportin e QKSS-së nuk di çfarë të bëj më parë – të qeshë apo të ulërasë? Apo të pyesi veten se a mos ka nisur edhe Shpend Kursani të besojë sikur Ahmet Kalaja në 2013 kur predikonte në mes të Tiranës që në Damask kanë zbritur melaqetë për të ndihmuar muxhahidinët?

Është e paimagjinueshme sesi Kursani me shokë këto pallavra e përralla me tekfirë dhe havarixha të shekullit VII ja ka shitur ambasadës amerikane në Prishtinë. A thua vallë që edhe ambasadorja amerikane Tracey Ann (Mos-e-dhit-muhabetin) Jacobson beson në melaqetë e Damaskut që kanë zbritur në qytet për të sjellë demokracinë e Obamës? Njerëzit që e njohin mirë Islamin, kur lexojnë këto rrëfime fantastike-vehabiste të Kursanit nuk kanë rrugë tjetër por vetëm se të qeshin me të madhe më idiotllëqet që lexojnë. Unë nuk e di pse Kursani e shkatërron punën e tij studimore në këtë mënyrë, dhe gënjen në këtë farë feje në studimin e tij dhe pse e nxjerr Arabinë Saudite të pafaj në xhihadizmin e Sirisë – kur dihet fare mirë se Sirinë ashtu sikur edhe Jemenin sot e dogjën sauditët dhe izraelitët për shkak të konkurrencës që ata kanë me Iranin në Lindjen e Mesme. Kosovarët në Siri nuk i çoi Shkuri Aliu por Sheh Adnan Aruri dhe agjentët që Arabia Saudite ka në Ballkan. Po pse i fsheh këto fakte Kursani? A ka mundësi që projekti i tij të jetë sponsorizuar nga ambasada e Arabisë Saudite, apo Katari dhe Bahreini? Apo mos vallë sponsorët e tij amerikanë i kanë kërkuar që Arabinë Saudite dhe diktaturat e tjera synite që nisën luftën në Siri dhe morrën në qafë me mijëra muslimanë evropjanë, ti nxjerrin të pafaj në këtë raport, pasi sauditët mund t’u duhen amerikanëve sërisht në të ardhmen për t’i çuar besimtarët e paditur kosovarë si xhihadistë gjetkë?

Studimi i Kursanit bëhet i pavlerë edhe në faktin se ai – mesa duket nga frika e punëdhënësve të tij amerikanë – nuk tregon si duhet historinë. Ai nuk tregon që luftën në Siri e nisën bosët e tij amerikanë me në krye presidentin Obama dhe sekretaren e shtetit Hillary Clinton. Ishte administrata amerikane ajo që sëbashku me sauditët, katarasit, kuvajtianët dhe diktatorët e tjerë arabë dogjën dhe shkatërruan Libinë, u dërguan armë muxhahidinëve në Libi dhe e mbushën Sirinë me xhihadistë injorantë evropjanë që shkonin nëpërmjet Turqisë. Kursani nuk flet asnjë fjalë për këto gjëra në shkrimin e tij. Ai ka frikë nga bosët e tij amerikanë. Për këtë arsye, studimi i tij kthehet në qesharak kur ai akuzon Shukri Aliun me shokë si fajtorët për shkuarjen e kosovarëve në Siri. Duke injoruan propagandën pro-luftës që qeveria kosovare, Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, al-Jazeerah, CNN-i, sauditët, ambasadat amerikane dhe një grup diktaturash synite bën pro-luftës, Kursani i bën bisht gjithë zanafillës së kësaj lufte. E në anën tjetër duke treguar si hoxhallarë të mirë dhe moderuar ata hoxhallarë vehabistë që tani kanë vendosur të lënë frontin e Sirisë dhe braktisin njerëzit që ata vetë trushpëlanë 2 vite më parë kur xhamitë e tyre zjenin nga lutjet dhe duatë për luftë kundër shiitëve dhe alevitëve të Sirisë, Kursani, studimin e tij e kthen në një gënjeshtër të madhe.

11146307_10153291129652958_5038421197276143083_n

5.
Shqiptarët në Siri nuk i dërgoi Shukri Aliu, Rexhep Memishi, Genci Balla, Zekerija Qazimi e ndonjë tjetër. Ata i dërgoi Perëndimi, qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës dhe Bashkësitë Islame në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të cilat nga viti 2011 e deri në 2014 nuk rreshtën së nxituri besimtarët muslimanë që të shkojnë në Siri dhe vrasin “shiitët dhe alevitët” që shajnë “sahabët” dhe shpëtojnë Islamin nga “shiitët e mallkuar”. Dërgimi i besimtarëve shqiptarë në Siri ishte pjesë e luftës botërore të NATO-s kundër boshtit ruso-kinezo-iranian, ku Islami, feja jonë e dashur u morr në qafë dhe u manipulua për luftë. Shqiptarët muslimanë u çuan në Siri si mish për top nga Perëndimi i cili sot po i quan radikalë dhe po i burgos si terroristë. Videot, fjalimet, peticionet, memot, incizimet televizive, protestat që bënin “muslimanët e moderuar” për luftë në Siri janë anë e mbanë internetit dhe arkivave. Por Shpend Kursani nuk do ti shohë ato. Luftëtarët kosovarë që shkuan në Siri kaluan nga aeroportet e Prishtinës, Tiranës dhe Stambollit dhe u paguan me para saudite, katarase e kuvajtiane. Emrat e tyre ishin të gjithë në listat e agjencive perëndimore, turke dhe saudite të cilat e dinin se ku po shkonin. Administrata amerikane dhe diktatorët sauditë dhe të tjerë, dhanë miliona dollarë në këto vite për të “xhihadizuar” muslimanët në Ballkan dhe për ti hedhur si koka turku të vriten dhe vrasin njerëz të pafaj në Siri. Edhe Lavdërim Muhaxheri të cilin Kursani e tregon si të pashkollë, përpara kësaj ka qenë luftëtar i NATO-s në Irak dhe Afganistan. Pse i fsheh Kursani këto fakte? Dihet. Ai ka frikë se mos humbet vendin e punës dhe nëse e humbet nuk i ngelet gjë tjetër por veçse të bëhet hoxhë dhe shkruaj hajmali në Prishtinë.

Filozofia e raportit të Kursanit mund të përmblidhet më këto pak fjalë: Një, ai nuk e njeh Islamin dhe nuk është profesionist për këtë punë; Dy, ai gënjen për punën e shkuarjes së kosovarëve në Siri dhe akuzon pa të drejtë vetëm grupin e Shukri Aliut ndërsa injoron armatën e madhe me hoxhallarë besnikë që Arabia Saudite komandon në Ballkan; Tre, ai kërkon që të motivojë hoxhallarët që kanë tradhëtuar luftën e Sirisë që ti sjellin pas ata që ata vetë çuan në Siri; dhe Katër, i bën apel palës laike që të jetë më e butë me muslimanët, pasi duke i sulmuar të gjithë toptan ata rrezikojnë që ti radikalizojnë në masë.

Raporti i Kursanit megjithë arritjet e tij, dhe sqarimin që jo çdo musliman është terrorist, është një raport i mangët nga ana ideologjike, fetare dhe historike. Kursani me shokë kanë intervistuar shumë vetë dhe kanë sjellë shumë fakte me vend në studimin e tyre. Megjithatë, konkluzionet e tij janë të gabuara dhe të meta. Mbi të gjitha raporti i QKSS-së është i turpshëm dhe i frikshëm pasi ai tregon që feja Islame nuk ka liri në Ballkan. Islami sot kontrollohet sikur të jetë organizatë kriminale, besimtarët dhe hoxhallarët i kanë përçarë dhe bërë armiq të njëri tjetrit dhe ata janë viktima të lojrave që Fuqitë e Mëdha luajnë në botë. Pjesë e kësaj loje ishte edhe gënjimi në masë i muslimanëve shqiptarë që të shkojnë dhe djegin Sirinë për hise të NATO-s dhe demokracisë. Por edhe më i keq është proçesi i “deradikalizmit” tani më pas, kur feja Islame dhe besimtarët janë bërë të gjithë objekt listash policore dhe akuzash për terrorizëm.

6.
Shumë besimtarë kosovarë që e kanë parë Shpend Kursanin në televizor ma kanë lavdëruar atë dhe raportin e tij, pasi ai duket sikur mbron selefistët e penduar dhe i bën apel policisë dhe AKI-së së Kosovës që ti trajtojë më mirë dhe më butë muslimanët.

Megjithatë, apelet e Kursanit që policia kosovare të mos jetë e dhunshme me besimtarët nuk do i zgjidhin problemet që muslimanët shqiptarë kanë sot në Ballkan me regjimet e tyre laik-katolike. Edhe vetë Kursani nuk arrin ta kuptojë dot në studimin e tij, që protestat e hoxhallarëve dhe besimtarëvë kosovarë kundër Skënderbeut, Nënë Terezës etj nuk janë protesta kundër kombit dhe tolerancës fetare, por janë protesta që muslimanët bëjnë për të garantuar lirinë e tyre të besimit dhe mendimit dhe identitetin e tyre fetar dhe kombëtar përballë agresionit laik-katolik.

Gjithësesi, pas nja 30 apo 40 vitesh, kur dikush ta rilexoj raportin e Kursanit dhe kur arkivat policore të jenë hapur dhe njerëzia të shohi sesa hoxhallarë kanë spiunuar e shitur shokët e tyre për hiçgjë në Ballkan me këtë meselenë e “deradikalizmit”, lexuesit që do vijnë pas nesh një ditë, do ta kuptojnë më mirë sesa keq ka qenë situata e muslimanëve shqiptarë në Ballkan në vitin 2015. Ata që do vijnë pas nesh do ta lexojnë më mirë sesa ne sesa të përçarë, të paditur dhe të pabesë kanë qenë muslimanët në kohën e Pax Amerikanës dhe sa shumë ua kanë kufizuar liritë e besimit dhe mendimit sundimtarët e sotëm filoamerikanë. Por a do të jemi gjallë ne deri në ato ditë kur muslimanët do të rrojnë të lirë në Ballkan dhe në botë dhe nuk do të vuajnë më nga stigmat dhe persekutimet e ditëve të sotme? Allahu e di më së miri!


*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.