Përplasen për bunarin, ku dyshohet se ka varr masiv


E premte, 31 Korrik 2015

bunari

Një bunar në Mitrovicë, ku dyshohet se gjendet një varr masiv, ka përplasur përfaqësuesit e institucioneve kosovare që merren me zbardhjen e fatit të të pagjeturve të Kosovës.

Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, Departamenti i Mjekësisë Ligjore dhe Këshilli Koordinues i Asociacionit të Shoqatave të të Zhdukurve të Kosovës, në vend që të jenë bashkë dhe të koordinohen për secilin hap që duhet ndërmarrë, janë përplasur mes vete, duke akuzuar njëra-tjetrën për veprime të dëmshme, që dëmtojnë gjithë procesin e gjurmimit të vendeve të dyshuara për varreza masive dhe njëkohësisht kanë shqetësuar familjarët e të pagjeturve.

Në fakt, Departamenti i Mjekësisë Ligjore (DML) në Prishtinë ka shkuar në Mitrovicë për ta ekzaminuar një bunar, pronë e Ukshin Vinarcit, në të cilin dyshohej se ka trupa të pajetë të njerëzve në të.

Pa marrëveshje me Komisionin Qeveritar për të Pagjeturit, si dhe pa u konsultuar fare me Këshillin Koordinues të Asociacionit të Shoqatave të të Zhdukurve të Kosovës, punëtorët e DML-së kishin filluar gjurmimet, por menjëherë i kishin ndërprerë, pasi që kishin vlerësuar se u mungojnë mjetet për t’u lëshuar në bunar, pasi që paraprakisht njëri prej punëtorëve nuk e kishte ndjerë veten mirë kur ishte lëshuar në thellësi. /Zëri/