Qeveria riprocedon Specialen, thotë se ia lejon Kushtetuta


E premte, 31 Korrik 2015

qqevv

Pa asnjë ndryshim, Qeveria e Kosovës ka riproceduar në Kuvend amendamentin 24, që i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, dhe i cili në seancën e 26 qershorit nuk i kishte marrë votat e nevojshme

Riprocedimi i këtij amandamenti në Kuvend, vjen pas konsultimeve me grupet parlamentare të koalicionit qeverisës.

Kryeministri Isa Mustafa para kabinetit qeveritar tha se nuk ka asnjë pengesë ligjore për riprocedimin e të njëjtave ndryshime kushtetuese në Kuvend. Ai tha se as Kushtetuta, as Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk e kufizojnë mundësinë e riprocedimit të të njëjtit amandament në Kuvend.

“Arsyeja e riprocedimit të amandamenteve ndërlidhet veçmas me përmbushjen e obligimeve të cilat i kamarrë Kosova me Ligjin për ratifikimin e letrës së presidentes së Kosovës me baroneshën Ashton, të aprovuar me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ne jemi të detyruar t’i zbatojmë ligjet të cilat i aprovon Kuvendi, ndërkaq Kosova duhet të tregojë se është përgjegjëse dhe e zonja të përmbush zotimet e saj para komunitetin ndërkombëtar, të cilat zotime janë ratifikuar me ligj”, tha Mustafa.

Mustafa tha se përmes këtij riprocedimi Kosova demonstron në mënyrë të qartë përcaktimin për rend e ligj dhe për arritjen e standardeve të larta perëndimore të drejtësisë.

“Riprocedimi dhe vendimi në Kuvend për këto amandamente kushtetuese, e ruan sovranitetin e Kosovës, sepse institucionet e Republikës së Kosovës janë ato që marrin rolin dhe përgjegjësinë për një vendim të tillë. Për neve do të jetë e dëmshme dhe e papranueshme që për këtë çështje të vendoset mbi bazën e Rezolutës 1244”, theksoi Mustafa.

Riprocedimin e amandamentit 24 në Kuvend, edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi e vlerësoi si shumë të rëndësishëm.

“Kjo çështje është ajo që duhet t’i largojë ndasitë politike. Përkundrazi, është një përgjegjësi e përbashkët shtetërore, dhe duhet të shndërrohet në një rrethanë të favorshme për të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri Isa Mustafa kërkoi nga Kuvendi i Kosovës që sa më shpejt ta thërras seancën për aprovimin e amandamentit që i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Mustafa e Thaçi u bën thirrje deputetëve që t’i japin mbështetje këtij amandamenti, në mënyrë që të përmbyllet kjo sfidë dhe përgjegjësi e institucioneve të Kosovës.