Asociacioni i Komunave shqiptare në Kosovën Lindore, nevojë apo reciprocitet!


E enjte, 17 Shtator 2015

Ekrem ZAJMI

Pompoziteti i lajmit mbi vendimin e Komunave Shqiptare, që shumica prej nesh i referohemi si Kosova Lindore për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Shqiptare, duket se shkaktoj një ndjenjë patriotizmi emocional që ndoshta si i tillë nuk është përjetuar që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Duke qenë se krijimit të këtij asociacioni, nuk i ka paraprirë një proces intensiv i angazhimit të liderëve politik të Luginës së Preshevës, e as të Kosovës, madje as qeveria e shtetit amë Shqipërisë për të bërë lëvizje diplomatike, në mënyrë që përmes Bashkimit Evropian të i ushtrohet presion Serbisë, që të përmirësohet gjendja e pakicës shqiptare, bënë që ky asociacion të ketë më shumë karakter historik, sesa të tregoj rezultate si në fushën e gjygjësisë, policisë, përdorimit të simboleve kombëtare dhe gjuhës, arsimit, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, kulturës etj.

Tendenca për reciprocitet me Serbinë në rastin e pakicës serbe në Kosovë, mund të jetë parë nga një pjesë e spektrit politik në Kosovën Lindore, si një mundësi e rrallë për ti realizuar të drejtat e tyre në vendin ku jetojnë. Të drejtat që qeveria e Serbisë i fitoj për pakicën serbe në Kosovë, me të drejtë synohen edhe nga pakica shqiptare në Serbi. Po në një Kosovë evropiane do të duhej të kishte respektim evropian të të drejtave të komunitetit pakicë serb, njësoj siç do të duhej që në një Serbi evropiane të kishte respektim evropian të të drejtave të komunitetit pakicë shqiptar. Standardet e BE-së do të duhej të vlenin njësoj e barabar për të gjithë, dhe të mos jenë të dyfishta.

Themelimi i këtij asociacioni pa koordinim me Bashkimin Evropian, pa mbështetje konkrete dhe strategjike nga Shqipëria dhe Kosova dhe pa unitetin e brendshëm të krerëve politik në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, edhe këtë mekanizëm e bënë jo funksional. Shqiptarët që jetojnë në atë pjesë si pakicë kombëtare, vazhdojnë të mbesin të diskriminuar, jo mjaftueshëm të përfaqësuar dhe vazhdimisht ballafaqohen me projektin serb për de-shqiptarizimin e këtyre trevave.

Të rikujtojmë se përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës Lindore për tu avancuar në të drejta dhe liri brenda Serbisë dhe për bashkim me Kosovën, filluan vite më parë. Le të fillojmë nga Referendumi për “Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën” në vitin 1992 ku shumica votuan Pro. Pastaj lufta e UÇPMB-së e cila u përmbyll me Marrëveshjen e Konçulit përmes së cilës shqiptaret fituan disa të drejta, ku shumica prej tyre mbeten vetëm në letër, e deri tek Vendimi i datës 12 shtator 2015 për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare, si kundërpërgjigje ndaj themelimit të një asociconi të ngjashëm në Kosovë.


*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.
Ekrem Zajmi – Ish përfaqësues i Studentëve në Parlamentin e Studentëve në UP. Tani student në studime Master në Turqi.