Kur e vërteta manipulohet


E shtunë, 15 Qershor 2013

Autor: Shefqet KRASNIQI

Pa dyshim se periudha në të cilën jetojmë është periudhë e sprovave, testimeve, turbulencave e jo-stabilitetit. Për shkak të ndikimit të fuqishëm, më shumë negativ sesa pozitiv, të medieve dhe qarqeve të ndryshme masat shpeshherë vihen në siklet dhe nuk dinë se kujt t’i besojnë apo kah të orientohen. Shpesh ndodhë që diçka që më së paku ka rëndësi të rritet, stërmadhohet e alarmohet, deri në atë masë, saqë mund të shkaktojë frustrim të përgjithshëm masiv, madje edhe në nivel shtetëror apo kombëtar. Kështu po ndodhë edhe kohëve të fundit kur një “lajthitje e gjuhës” arrin të portretizohet si rrezik potencial, madje sipas disave edhe të sigurisë së përgjithshme kombëtare. Kështu, mediet dhe qarqet prapa tyre arritën që një ligjëratë fetare javore të mbajtur muaj më parë ta ri-aktualizojnë në momente të caktuara, varësisht nga interesat në prapaskenë, e të shkaktojnë rrëmuja të panevojshme dhe huti e tollovi në masë.

‘Skandali i Hoxhës’ siç u portretizua nga mediet tona, madje për fat të keq edhe ato publike, arriti të tërheq zvarrë pas vetes edhe personalitete të larta të politikës, përfshirë ministre e grup deputetesh, që pa të drejtë, pa arsye dhe pa nevojë e bënë këtë lajm temë bosht të javës, që për pasojë nxori shumë debate e diskutime pro et contra. Për shkak se turbulencat nuk kanë të ndalur, dhe se lajm kryesor i ditës po bëhet diçka që ka shumë pak apo fare rëndësi, në krahasim me problemet reale që ballafaqohet vendi ynë, vendosa t’i rrekem punës e ta plasojë këtë shkrim. Do të doja që, para se të filloj trajtimin tim, të bëj disa pyetje, që mendojë se do të vënë baza për zhvillimin e debatit në vijim:

Përse po trajtohet një “problem” i vjetër?

Përse nuk diskutohen problemet aktuale?

Përse pikërisht në këtë kohë të zhvillimeve kaq të ndjeshme për vendin diskutohet për një çështje me të cilën do të mund të merreshim edhe më vonë, pasi që veç vonë është duke u trajtuar. Apo edhe po të mos merreshim fare nuk do të bëhej kiameti!

Vërtetë mbeta i shtangur kur pashë gjithë atë energji të medieve për këtë çështje ndërsa kanë harruar të merren me gjërat që po e dërgojnë shtetin në vdekje klinike. Kosovës, me zhvillimet e fundit, nuk i është ngulfatur vetëm e tanishmja mirëpo po i luftohet edhe e kaluara. Arrestimi i komandantëve ushtarakë dhe gjykimi e dënimi i tyre, siç ishte rasti me ‘Grupin e Llapit’ është një gjë, që do të duhej ta shqetësonte politikën kosovare, në radhë të parë, e më pas edhe mediet si përgjegjës për bartjen e së vërtetës tek populli. Të arrestohen figurat më të rëndësishme të luftës e çlirimit dhe tash të politikës e diplomacisë e të mos ketë reagime është e neveritshme dhe për keqardhje. Mediet, në vend të fjalorit të Hoxhës, do të duhej të merreshin me këtë ofendim. Ose, do të duhej t’ia zbulojnë të vërtetën opinionit për marrëveshjet dhe ndryshimin e 50 ligjeve, për Trepçën dhe fatin e saj, për KEK-un, për PTK-në, për atë se si BE ka ripërsëritur tash e sa herë se shkaku për zvarritjen e proceseve nuk është pse ne jemi “talibaneskë”, siç vetëkënaqet të na quajë dikush, por për shkak të korrupsionit. Në vend të diskutimeve shterpe për gjuhën e dikujt, pse nuk merren me dukurinë e analfabetizmit të kosovarëve që janë hiç më pak se 137.000 veta ose mbi 7% e popullsisë së përgjithshme. Përse nuk është kërkuar llogari për këto gjëra, të cilat, në vende normale, do të paraqisnin bazë së paku për dorëheqje morale? Ose, përse mediet nuk u morën fare edhe me reagimet kundër Hoxhës? Përse nuk u morën me fjalorin banal dhe shumë amoral të një prezantuesi në Videofest? Përse nuk u morën me akuzat e Alma Lamës, e cila fyeu në baza fetare? Përse nuk u morën me dokrrat e disa pseudo-politikanëve, të cilët, në këtë vorbull problemesh, gjetën hapësirën të deklarohen se e kanë pasur me vend kur kanë fyer muslimanët? Përse nuk u morën me deklaratën e Ministres Çitaku, e cila thotë se Kosova na qenka një vend talibanesk? Përse asnjë medie nuk u mor me gratë deputete, atëherë kur ato ishin kundër ligjit që garanton të drejtën esenciale të shkollimit të barabartë për të gjithë, dhe u hodhën kundër lejimit të shamisë në shkolla?

Për hire të së vërtetës, unë jam kundër atyre që në emër të forumeve të caktuara, të panjohura për mua dhe shumë të tjerë, kanë reaguar dhe kërcënuar. Ata nuk na përfaqësojnë neve. Ata, që fshihen pas identiteteve të rreme, e që në fakt mund të jenë edhe vet urrejtje-nxitësit e provokuesit, së paku nuk do të duhej të vënë politikën dhe mediet në këtë lojë.

Po kështu, për hir të opinionit, me duhet të them se atë që ka shpjeguar Hoxha është në përputhje me fenë. Kontaktet intime jashtë kurorës martesore, pavarësisht se a bëhet fjalë për beqarë apo të martuar, konsiderohen ‘zina’ – amoralitet, që në fenë tonë, por edhe në ato të të tjerëve, janë të papranueshme dhe llogariten ndër mëkatet më të mëdha. Ashtu siç e ka shqetësuar Hoxhën, më shqetëson edhe mua dhe duhet ta shqetësojë çdo musliman. Unë e di se ka dhe të atillë që virgjërinë nuk e konsiderojnë të rëndësishme, por, ua përkujtoj se nëse ata kanë të drejtë ta kenë këtë mendim, atëherë përse nuk na e njohin të drejtën të mendojmë ndryshe?

Nuk di a e kam me vend, dhe lutem që të mos e kam me vend, por unë çdo ditë e më tepër fundamentalizmin laik/sekular, të kompozuar nga politika e të orkestruar nga mediet, e shoh si kërcënimin e vetëm të Kosovës. A thua vallë a nuk po manipulohet e vërteta dhe së bashku me të edhe populli ynë i stër-zhytur në varfëri e probleme reale?

Mund të mos pajtoni, por nuk besoj se mund të ma mohoni të drejtën e shprehjes së lirë.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa: