Prizreni Parazgjedhor?!!


E enjte, 31 Tetor 2013

Autor: Adnan ABRASHI

I kapur nga inati personal që sërish (për herë të tretë) me çdo kusht ta kandidoj për kryetar të Prizrenit, 76 vjeçarin Ramadan Muja, i cili, së bashku me disa zyrtar tjerë komunal, aktualisht po përgjigjet para drejtësisë për vepër penale të korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, Thaçi, nuk po zgjedh mjete që ta realizoj këtë synim të vetin imponues. Edhe pse ai me këtë fushatë të inatosur që po e bënë në Prizren, shpesh në sytë e qytetarëve po del tejet qesharak, i joshur nga vetëbesimi i tepruar për fitore, as që po vëren se me këtë mënyrë imponuese vetëm është duke krijuar kontra-efekt tek këta njerëz dhe asgjë tjetër.

Unë kam lindur dhe jetoj mbi 50 vite në këtë qytet, andaj edhe i njoh thellësisht në shpirt bashkëqytetarët e mijë. Në krahasim me mentalitetin e qytetarëve të qyteteve tjera të Kosovës, prizrenasit janë një kolektivitet krejtësisht ndryshe dhe tejet origjinal në vete. Ata dinë që edhe gjatë fushatave parazgjedhore masovikisht të jenë prezent në tubimet elektorale të të gjitha partive, dinë edhe me ëndje të shkojnë nëpër dreka dhe darka që kudo po i organizojnë partitë. Po ashtu, ata dinë që edhe Hashim Thaçit, çdo ditë, rrugëve të qytetit të tyre, t’ia bëjnë rrafsh në ato pyetje të tija qesharake: “A keni vendos…dhe …dihet..”, por, jam më se i bindur se, më 3 nëntor, kur t’i afrohen kutizave të votimit, ata do të veprojnë krejtësisht ndryshe.

Dihet gjithmonë se fushatat e suksesshme dhe efektive elektorale janë të shtrenjta dhe kërkojnë shumë para. E partia që sot ka më së shumti para, dihet – PDK-ja!
Mu për këtë shkak, këto ditë fushate, qyteti im Prizreni të duket sikurse çdo gjë në të po frymon vetëm për këtë parti dhe kandidatin e tyre (Hashim Thaçit) për kryetar, Ramadan Muja. Emisionet e përditshme speciale në katër (4) kanalet lokale televizive të sponzorizuara nga ta, posterët e shumtë dhe të shpërndarë kudo nëpër vendet më frekuentuese, bilbordet me madhësi gjigante të portretit të retushuar (rinuar) të Mujës (Kuptohet, dhe kandidatëve tjerë të kësaj partie për asamblist), aktualisht e kanë mbidominuar çdo skutë të këtij qyteti.

Për ta përkrahur dhe votuar Ramadan Mujën si kandidat të përbashkët për kryetar edhe nga ana e pakicave etnike që jetojnë në Prizren, me kohë, Hashim Thaçi, kishte siguruar pëlqimin edhe të 8 partive minoritare që veprojnë në Prizren. Ky akt i nënshkrimit formal të kësaj marrëveshjeje, me pompozitet të madh u prezantua në të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike të vendit. Me këtë veprim të gabuar taktik, Hashim Thaçi, më shumë se sa që nga minoritetet prizrenase siguroj vota për Ramadan Mujën, gjithsesi arriti të krijoj në opinion një bindje të gabuar konformiste, thuajse në Prizren jetojnë veç minoritetet (pa shumicën mbi 80% shqiptare), si dhe, kinse rezultati përfundimtar i fituesit gjatë zgjedhjeve në këtë qytet, kryekëput varet nga vullneti politik i animit zgjedhor të liderëve minoritar?!! Shikuar realisht, shumica këtyre liderëve janë të përçarë brenda vetes, si lidership i mirëfilltë, nuk gëzojnë tek popullata e tyre ndonjë autoritet të fuqishëm .

Deshëm ne të pranojmë apo jo, është një realitet i pamohueshëm se në të gjitha zgjedhjet nacionale dhe lokale të pasluftës kosovare, nga ana e partive tjera më të mëdha, pakicat nacionale etnike në Prizren, gjithnjë kanë shërbyer sa për një bashkëpunim sy e faqe. Mbase, vetëm sa për t’ua marr votat e tyre në favor të vetin, apo edhe lidhjes së koalicioneve të detyrueshme fiktive për ta përmbushur numrin e duhur të këshilltarëve shumicë në Asamblenë Komunale. Po ashtu, ndaj tyre nuk janë kursyer as përdorimi i metodave më perfide të luftës speciale të lansimit të thashethemeve dyshuese. Si një ”kallauz” i dëshmuar me sukses, edhe në këtë fushatë zgjedhore nuk po mungon përhapja e asaj gënjeshtre tashmë të sprovuar, kinse me ardhjen në pushtet e kësaj apo asaj partie “nacionaliste shqiptare”, do të rrezikohen edhe të drejtat ekzistuese minoritare?!! Dikur, këto të pavërteta manipulative, shpërndaheshin kundër partive të ashtuquajtura të “krahut të luftës”, ndërsa, në këto zgjedhje të sivjetme, ato më tepër e kanë në shënjestër lëvizjen Vetëvendosje! e cila po shënojnë një rritje të theksuar të përkrahjes tek masat.

Prizrenasit në përgjithësi, e posaçërisht ata minoritar, në veçanti, si grupacion homogjen etnik, për nga natyra, kryesisht janë njerëz të urtë, të ndershëm, zakonisht zanatli dhe punëtor të zellshëm, e, mbi të gjitha, shumica e tyre fare si karakteristik nuk e kanë të theksuar ndonjë bindje të caktuar politike, kështu që, atyre, as që ju ha palla për marrëveshjet e liderëve të tyre që ata lidhin me Hashim Thaçin apo me këndo qoftë tjetër. Andaj, çdo parti që bënë fushatë në Prizren dhe këtu kërkojnë votën e qytetarëve të tij, patjetër duhet ta dijë se shumica e elektoratit potencial (përveç atyre që janë militantë partiak), deri në minutën e fundit nuk e kanë të definuar se për ke do të votojnë.

Ja se si e ka përshkruar, kuptohet në shaka, një bashkëqytetar i imi, mënyrën e vetë të votimin në zgjedhjet e kaluara: “Menjëherë posa u zgjova në mëngjesin e asaj dite zgjedhore, sa isha ende në shtëpi, kisha vendosur të votoj për PDK-në. Para se të shkoja në vendvotimin e caktuar të lagjes, paraprakisht mu desh t’i kryej edhe disa punë të vogla personale dhe familjare. Së pari u drejtova të rruhem te berberi, dhe, për atë parti që kisha vendosur të votoj, aty dëgjova do fjalë të këqija, kështu që ndërrova mendjen dhe vendosa t’ia jap votën LDK-së. Menjëherë pas berberit, për të blerë disa gjësende ushqimore, rrugën e vazhdova tek bakalli, dhe, aty , edhe për LDK-në dëgjova disa komente të papërshtatshme. Kështu, sërish e ndërrova mendjen dhe këtë herë definitivisht vendosa që të votoj për AAK-në, por, posa u gjeta në vendvotim, rrumbullakova PD-në…”

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa: