​MPB i dhuroi Podujevës automjetin për zjarrfikje


E enjte, 23 Korrik 2015

Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit i Komunës së Podujevës sot është pajisur me automjetin sulmues për zjarrfikje, donacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu i ka dhuruar sot shefit të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Milam Ajvazit, çelësat e automjetit sulmues për zjarrfikje “IVECO” me një kapacitet prej 4000 litrash ujë.

Kryetari Veliu tha se automjeti është donacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, respektivisht Agjensionit për Menaxhimin e Emergjencave.

Me këtë rast kryetari Veliu ka falënderuar ministrinë e Punëve të Brendshme për donacionin, duke thënë se përkrahja e kësaj ministrie ishte edhe premtim i ministrit Skender Hyseni gjatë vizitës së tij të fundit në Podujevë.

“Duke qenë i informuar për gjendjen e rëndë të Shërbimit të Zjarrfikësve, për mungesë të automjeteve dhe pajisjeve, ministri Hyseni premtoi ndihmë për këtë shërbim dhe këtë e realizoi me dhurimin e këtij automjeti shumë të nevojshëm”, tha kryetari Veliu me rastin e dorëzimit të çelësave.

Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit i Komunës së Podujevë vazhdimisht është përballur me mungesë të mjeteve të domosdoshme për intervenime në terren, kurse kërkesat për pajisje me mjete të nevojshme dhe automjete për zjarrfikje ishin të kahmotshme.

Me këtë automjet, vlera e të cilit është mbi 234 mijë euro, zjarrfikësit e Podujevës do të jenë më të shpejtë dhe më efikas në shuarjen e zjarreve.

Etiketa: ,
Të fundit