E diel, 21 Maj 2017
Ramon Calderon beson se Real Madrid ka dy skuadra shumë të forta dhe nuk ka nevojë që të transferojë lojtarë të rinj.
Ai insiston se nëse do të ishte ai në krye të Realit, atëherë do të mbante vetëm këta lojtarë që ka.
“Mendoj se ne kemi një skuadër që është shumë, shumë e fortë. Nuk mendoj se kemi nevojë për ndonjë lojtar. Nuk do të transferoja asnjë”, tha Calderon për Goal.
“Mendoj se edhe zëvendësuesit janë duke luajtur shumë mirë. Në disa ndeshje vetëm dy lojtarë kanë luajtur të formacionit të parë dhe prapë kemi luajtur shumë mirë. Nuk mendoj se ka ndonjë arsye për të nënshkruar me ndonjë lojtar”.
Real Madrid tashmë ka kryer dy transferimet e para, Vinicius Junior dhe Theo Hernandez, ndërsa dëshiron të sjell në skuadër edhe Eden Hazard të Chelseat dhe portierin spanjoll të Manchester Unitedit, David de Gea.
Ai po ashtu foli edhe për finalen e Ligës së Kampionëve, ku e prano se fituesi është i paparashikueshëm.
“Sfidë për Realin do të jetë që të bëhet skuadra e parë që e fiton dy vite radhazi. Ndeshja do të jetë e vështirë. Juventus është skuadër shumë e fortë dhe nuk është skuadër tipike italiane që vetëm mbrohet”, vazhdoi Calderon.
“Ata kanë tre sulmues shumë të mirë, me Dybalan që po luan shumë mirë. Po ashtu edhe Higuain, të cilin e transferova në Real dhe Mandzukic. Buffon është një nga më të mirët në botë, kështu që, rezultati është i paparashikueshëm”.
Ndeshja finale e Ligës së Kampionëve do të zhvillohet më 3 qershor në Cardif të Uellsit.