Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

11 dhjetori vendoset data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni

Prizren Post | 09:44 - 01.09.2016

Shkup – Liderët e katër partive më të mëdha në Maqedoni, pas takimit të mbajtur në Klubin e deputetëve në Shkup, i cili kishte për qëllim të vlerësojë nëse janë përmbushur kushtet për mbajtje të zgjedhjeve korrekte dhe demokratike në pajtim me marrëveshjen politike të arritur më 20 korrik të këtij viti, u dakorduan që data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të jetë 11 dhjetori, ndërsa qeveria e cila do t’i organizojë zgjedhjet të zgjidhet më 2 shtator, 100 ditë para zgjedhjeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja u nënshkrua nga lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, i LSDM-së Zoran Zaev, i BDI-së Ali Ahmeti dhe nga lideri i PDSH-së Menduh Thaçi.

Gruevski deklaroi se sikurse në periudhën e kaluar edhe tani qëllimi kryesor i partisë së tij ishte për të shkuar në zgjedhje që të tejkalohet kriza politike që ka përfshirë vendin.

“Vitin e kaluar LSDM-ja krijoi këtë krizë, e cila shtyhej dhe mbështetej aq sa mundej. Ne u përpoqëm shumë që t’i biem në një gjendje që të mos mundin t’i anulojnë zgjedhjet, të mos kenë ku të ikin dhe të ballafaqohen me popullin. Jam i bindur se populli do t’i dënojë këto vepra dhe këto që bëri i LSDM-ja Maqedonisë në periudhën e kaluar”, deklaroi Gruevski.

Nga ana tjetër, Zaev deklaroi se regjimi i pushtetit aktual do të shkruhet në histori, ndërsa Maqedonia do të ecë një hap përpara. Ai shtoi se kishte për qëllim që më 11 dhjetor qytetarët të votojnë lirshëm, sepse siç tha ai, koha e dhunës zgjedhore dhe falsifikimit të tyre përfundoi.

“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve për mobilizim për fitoren e Maqedonisë. Më 11 dhjetor nuk do të vendosim vetëm për fatin e brezit tonë, por edhe për shumë breza të ardhshëm. Këto zgjedhje janë referendum dhe qytetarët do të vendosin të jetojnë në varfëri apo në një shtet të pasur dhe demokratik për të gjithë qytetarët”, deklaroi Zaev.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se kjo është një ditë e mirë për Maqedoninë, pasi që të gjitha forcat politike parlamentare arritën marrëveshje. “U arrit marrëveshje, me çka u pajtuan që janë plotësuar të gjitha kushtet për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, u shpreh Ahmeti.

Ndërsa Thaçi deklaroi se përgjegjësitë kryesore në organizimin e zgjedhjeve do ta kenë partitë që do t’i organizojnë ato, ndërsa shtoi se shpresat për zgjedhje demokratike vazhdojnë t’i kenë te bashkësia ndërkombëtare.

“Kemi nënshkruar marrëveshje për më 11 dhjetor. Është shumë e rëndësishme, por më e rëndësishme është që të gjithë të kuptojnë se këta zgjedhje do të jenë korrekte dhe demokratike jo vetëm si në letër si nënshkruam, por edhe në përgjithësi në terren”, u shpreh Thaçi.

Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së në Maqedoni, Jess Baily, i cili gjatë tërë kohës ndërmjetësoi me qëllim të tejkalimit të krizës, deklaroi se vendimi i sotëm i liderëve tregon një vullnet politik për të çuar vendin përpara.

“Jam i bindur se zgjedhjet e 11 dhjetorit do të jenë një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës politike në vend, Muajt e ardhshëm ne do të bëjmë më të mirën që mundemi për të ndihmuar dhe siguruar zgjedhje kredibile”, deklaroi Baily.

Në qeverinë kalimtare do të marrë pjesë opozita maqedonase, ku do të emërojë pozitat në sektorët e punëve të brendshme dhe për punë dhe politikë sociale, si dhe zëvendësministrave plotësues për financa, shoqëri informatike dhe administratë dhe për bujqësi. Poashtu kjo parti ka emëruar edhe kryeredaktor dhe përgjegjës të ri në Radio-Televizionin Publik të Maqedonisë.


Arivisti Company