17 universitetet që do të mbyllen!


E hënë, 4 Gusht 2014

Kryeministri Rama dhe ministrja e arsimit, Lindita Nikolla kanë bërë të ditur sot se së shpejti një numër i konsiderueshëm institucionesh të arsimit të lartë në Shqipëri do të mbyllen.

Duke prezantuar raportin e verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në Institucionet e Arsimit të Lartë (publike eprivate), kryeministri ka dhënë disa të dhëna interesante për gjendjen e arsimit të lartë në Shqipëri.

“Kemi arritur të kemi sot numrin më të madh të universiteteve për frymë në Europë, 8 herë më shumë se Britania e Madhe. 20 universitete për 1 milionë banorë. Kemi arritur një kulm tjetër, me 1432 programe të ndryshme mësimore, a thua se vendi ynë i ka mundësitë t’i përgatisë të rejat dhe të rinjtë për 1432 profesione dhe nënprofesione të ndryshme. Kemi arritur një tjetër rekord, europian nuk diskutohet, rajonal padyshim, por, mbase, edhe botëror, me 50 programe studimore në universitetet tona publike, ku nota mesatare e të gjithë të regjistruarve është nën 5.5.

Kemi arritur që në kaq pak vite të gjenerojmë 32 mijë diploma nga sistemi universitar privat. 32 mijë! Gjysmën e të cilave i ka dhënë një universitet i vetëm, 16 mijë. Kemi arritur të japim 900 diploma për të huaj, ndërkohë që s’japim asnjë leksion në gjuhë të huaj. Kemi arritur që të kemi pedagogë që vetëm një vit përpara rekrutimit kanë marrë diplomën në bachelor. Për shembull, në Universitetin publik të Elbasanit, 16 vetë janë punësuar si pedagogë në infermieri, me një bachelor në një universitet privat. Merreni me mend se çfarë infermierësh e infermieresh dalin nën kujdesin e këtyre 16 personave!”, është shprehur Rama.

Plot 17 universiteteve private i është vënë kyçi nga qeveria shqiptare pasi nuk plotësojnë kriteret, si dhe 6 filiale të universiteve publike do të mbyllen.

Por kush janë universitetet që pritet të mbyllen?!

Ja lista:

Propozim për mbyllje institucioni apo filiali
Akademia e Arteve Shkodër
Filiali Kukës, Universiteti i Tiranës
Filiali Sarandë, Universiteti i Tiranës
Filiali Peshkopi, UAMD
Filiali Pogradec, UK
Filiali Lushnje, Universiteti Bujqësor
Filiali Gjirokastër, Universiteti Bujqësor
Akademia Pedagogjike, Tiranë
Kolegji profesional i Sporteve Fier

Universitetet private për heqje licence
1-Universiteti Kristal
2-Universiteti Vitrina
3-Universiteti i Lartë Elitë
4-Universiteti Planetar i Tiranës
5-Justiniani i I
6-Medicadent
7-Institucioni i Arsimit të Lartë ‘Gjon Buzuku’, Shkodër
8-Akademia e Ndërtimit Tiranë
9-Akademia e Studimeve të Aplikuara Durrës
10-Akademia Pedagogjike Tiranë
11-Shkolla e Lartë “Nëna mbretëreshë Geraldinë”
12-Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës
13- Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës
14-Kolegji profesional i Sporteve, Fier
15-Shkolla e Lartë “Illyrija”
16-Kolegji profesional “Aldent” Shkodër
17- Kolegji profesional “Medicom”

Studentët që ndjekin universitetet që janë mbyllur do të shpërndahen në universitete të tjera private apo shtetërore, gjithmonë duke u bazuar te kreditet që ata kanë marrë.

Ndërkohë, janë edhe 13 universitete të tjera të cilat propozohet t’u pezullohet aktiviteti deri në një vendim të dytë. Këto universitete do të vijojnë aktivitetin normal por me kusht që të plotësojnë mangësitë.

Në grupin e këtyre universiteteve gjendjet institucione si “ISSAT”, “Pavaresia” Vlore, “Logos”, “Justicia”, “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”, Instituti Kanadez i Teknologjise, “Wisdom University”, Universiteti “Aldent”, Universiteti “Albanian University (UFO)”, etj

 

Etiketa: ,