Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

400 fëmijë nga vendet e Ballkanit hapën festivalin ndërkombëtar të valleve “Ylberi i Prishtinës”

Prizren Post | 10:14 - 12.09.2015

Prishtinë – Dje pasdite, në Prishtinë, është mbajtur ceremonia e hapjes së edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar tradicional të valleve për fëmijë “Ylberi i Prishtinës”. Në këtë festival marrin pjesë ansamblet nga vendet e Ballkanit, raporton Anadolu Agency (AA.

Teuta Musa, drejtoresh e Qendrës Kulturore për Fëmijë në Prishtinë, njëherësh drejtoreshë e festivalit “Ylberi i Prishtinës” deklaroi se numri i pjesëmarrësve në festival është duke u rritur prej vitit në vit. Duke folur për AA , ajo tha se sivjet nga shtetet e tjera kanë ardhur 150 fëmijë dhe 250 janë nga viset e ndryshme të Kosovës.

“Sivjet kemi ansamble nga Kroacia, Shqipëria, Maqedonia dhe dy nga Mali i Zi. Ndërkaq, ansambli nga Turqia i cili kishte konfirmuar ardhjen, vetëm një ditë para se të vinte e kishte anuluar ardhjen për shkak të trazirave që kanë ndodhur në Turqi dhe pikërisht nga komuna e Adapazarit ishin ushtarët e vrarë” thotë Musa.

Ajo shtoi që grupet e valltarëve, kryesisht do të performojnë koreografi të reja dhe do të prezantojnë vlerat kulturore të shteteve prej nga vijnë.

“Unë vij për herë të dytë ndërsa ansambli Emin Duraku ka qenë disa herë. Ndihem shumë mirë, Prishtina është qytet i bukur dhe shumë mirë po kaloj” thotë Diellëza Sahiti nga Shkupi, kryeqyteti i Maqedonisë.

Ajsela Demiq, anëtarja e Shoqërisë Kulturore-Artistike (SHKA) “Vrelo Ibra” nga qyteti Rozhajë i Malit të Zi, për herë të parë është në Prishtinë.

“Sot kemi shëtitur, është mrekullueshëm, jemi shumë të kënaqur … super është, jemi njoftuar me shumë folklore dhe është shumë bukur” thotë Ajsela.

Qamil Kujeviq, drejtori i Qendrës së Kulturës në Rozhajë për AA deklaroi se, kjo është hera e parë që ansambli “Vrelo Ibra” po luan në Prishtinë, pas luftës

“Shumë bukur e kemi, organizimi është i mirë, ushqimi është i mirë, fjetja është e mirë, fëmijët janë shumë të lumtur me krijimin e shoqërive të reja, çdo gjë është për mrekulli.–Sa fëmijë keni sjell? – Kemi sjell 25 fëmijë, ky është ekip më i vogël ngase ashtu na është kërkuar, përndryshe shoqëria e jonë kulturore-artistike numëron mbi 400 anëtarë” thotë Kujeviq.

Drazhen Zovko, udhëheqësi i Shoqërisë Kulturore-Artistike “Dragutin Domjanoviq” nga qyteza Vugrovc, pranë Zagrebit, konsideron se festivalet si ky janë të rëndësisë së madhe.

“Së pari, promovimi i folklorit dhe kulturës kroate pastaj, mendoj se është shumë e rëndësishme për fëmijë që të zgjerojnë miqësitë, të njoftohen me kultura të ndryshme sepse me njoftimin e kulturave të vendeve të ndryshme, ata do të kuptojnë se është e rëndësishme edhe kultura e vendit të tyre. Pastaj, do të dëgjojnë gjuhë të ndryshme” thotë Zovko.

Pjesëmarrësit e “Ylberit të Prishtinës” nesër do ta vizitojnë Prizrenin ndërkohë, të dielën, përsëri në Prishtinë do të kenë prezantime 15 minutëshe të valleve të tyre. Ky festival mbahet nën kujdesin e Kuvendit Komunal të Prishtinës.


Arivisti Company