Kerry dhe Clinton,pre e pergjimeve


E diel, 17 Gusht 2014

121312_JohnKerryHillaryClinton
Sekretari amerikan i Shteti John Kerry ka rënë edhe ai pre e përgjimeve të Shërbimit Sekret gjermane, BND. Lajmin e ka publikuar revista Der Shpigel, sipas së cilës bëhet fjalë për një telefonatë satelitore të interceptuar rastësisht në 2013.

Nuk bëhet me dije përmbajtja e bisedës, por duket se lajmi e ka shqetësuar mjaft kryediplomatin amerikan, aq sa mendohet të ketë telefonuar homologun gjerman Fank-Valter Shtajnmajer për të kërkuar shpjegime.

Por duket se sekretari Kerri nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e përgjimit të Shërbimit Sekret gjerman. Dhe është pikërisht paraardhësja e tij, Hilari Klinton, që është survejuar.

Më herët gjatë ditës, u publikua ky lajm nga e përditshmja Sueddeutsche Zeitung dhe 2 kanale lokale televizive, pjesë e rrjetit publik ARD. Sipas këtyre mediave Clinton është përgjuar rastëtsisht, vetëm një herë, teksa fliste në telefon në bordin e një avioni qeveritar amerikan.

Nuk ka asnjë të dhënë se për cilën periudhë bëhet fjalë dhe nëse ky ishte një program i gjërë përgjimi, por mediat aludojnë se Shërbimi Sekret gjerman ka spiunuar edhe të tjerë personalitete politike të vendeve aleate në NATO.

Por ajo që përbën më shumë zhurmë është fakti se Shtetet e Bashkuara janë vënë në dijeni të këtij rasti nga spiunët e saj në gjirin e shërbimeve sekrete gjermane të zbuluar së fundi – sepse përgjimi duket se është shkatërruar pas shumë kohësh nga moment i regjistrimit.

Kjo çështje ndikoi sërisht në përkeqësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, pas përgjimit të telefonatave të kancelares Merkel. Sigurisht, nëse do të vërtetoheshin se këto përgjime kanë ndodhur, Berlini zyrtar do të vihej në pozitë të vështirë, duke qënë se e ka akuzuar Uashingtonin për të njëjtin veprim. Gjithsesi, asnjëra palë zyrtarisht nuk kanë pranuar të komentojnë rreth këtyre pretendimeve.