Të mos jetë lënda fetare! Sepse duhet shpëtuar… komunizmi!


E shtunë, 16 Prill 2016

552870_4710611799993_263778895_n

Unë nuk do marr përsipër këtu t’u mbush mendjen kundërshtarëve të kësaj nisme me faktin se filozofët e rilindjes, si Dekarte, Spinoza dhe Lajbnici, ishin teistë. Sepse e di që do më thonë se asokohe religjioni nuk ishte çrrënjosur akoma nga shoqëria europiane.

Nuk do i futem këtu shtrimit të pyetjes se përse filozofët në shumicë, për të mos thënë të gjithë, ishin teistë që 350 vjet para erës sonë, sepse e di që do thonë se e tillë ishte koha, pavarësisht se teoritë e tyre vazhdojmë t’i ndjekim edhe në kohën tonë.

As do përpiqem t’i bind pseudopsikologët me thëniet e themeluesve të kësaj dege, si të Frojdit, kur deklaron se, “Ndjenja e mëkatit është progresuesja më e madhe sociale, pasi ajo nxit një qytetari të ndershme,” apo të Jungut, tek Psicologia e Religione, kur thotë, “Fakti që fetë kanë rezistuar përgjatë mijëvjeçarëve do të thotë se ka një Zot që kujdeset për këtë gjë, dhe psikologjia është shumë e brishtë përballë këtij fakti madhor.” Apo, më tej akoma, me thënien e Grilit tek Social-Psikologjia, kur parashtron se këto disiplina janë të paafta për të definuar shkakun e ardhjes së njeriut në këtë botë dhe çfarë do të bëhet me të pas vdekjes.

Të gjithë këta heshtën përballë rolit të fesë, por imituesit e tyre, të nxitur nga “feja” komuniste, me një të rënë të lapsit duan t’i hedhin poshtë fetë me teza pak më të sofistikuara se ato të komunizmit, të tipit, “Feja është opium për masat”. Sot thonë, “Janë shumë jetëgjata!”, të kundërtën e Jungut. Nisur nga kjo, personalisht kam bindjen se sociologu shqiptar është themeluesi i një lloj sociologjie komuniste që i neutralizon fetë. Të merresh me fetë do të thotë të bësh fe, prandaj komunizmi ishte feja e antifesë, sepse i luftoi të gjitha fetë. Kështu, dega më e re e tarifuar nga sociologët tanë është ose preludi i një shkence së re që do bëhet objekt studimi nga universitetet e së ardhmes, ose një shaka e rëndomtë intelektuale, me të cilën brezat do vazhdojnë të ngërdheshen ndër dekada. Çfarë nuk ka shpikur shqiptari?!

Por për të mos u ndalur këtu, ka disa arsye se përse lënda e mësimit fetar duhet futur në shkollë.

E para: Sepse e gjithë bota e civilizuar e praktikon. Vende si Spanja, Belgjika (ku pjesë e kësaj edukate është dhe feja islame), Greqia, Irlanda, Norvegjia dhe vendet e tjera skandinave, Hungaria, Polonia, Italia, Lituania, etj. Në shumë nga këto vende shkon vetë prifti me Bibël në dorë dhe uniformë e jep leksionin. “Laikët” tanë le të shkojnë në Europë dhe ta çlirojnë europianin si baballarët e sekularizmit nga ky “krim”; kështu ndoshta edhe shoqëria jonë shpëton prej tyre.

E dyta: Sepse të gjitha disiplinat, përfshirë edhe sociologjinë, merren me fenomenet sociale dhe i shpjegojnë ato, por kurrë nuk i krijojnë apo nuk i ndalojnë dot. Nisur nga kjo, sociologjia mund të na shpjegojë se përse kemi një përhapje kaq të gjerë të besimit në Zot (“Spiritualizmi”, Bergsoni) dhe një “kapitullim” të materializmit epikurian?! Me këtë të merret sociologjia, sepse, nëse tenton “të fusë duart” dhe ta ndalojë këtë proces, kalon në komunizëm. Vetëm ai sistem pati guximin të ngrejë dorë mbi fenë, prandaj edhe njerëzia i vuajti pasojat dhe do t’i vuajë ndër breza.

E treta: “Feja është opozitë e diktaturës dhe aleati më i madh i demokracisë,” tha Huntington-i. Nuk mund të ketë demokraci pa religjion, dhe s’mund të ketë religjion pa u mësuar në institucion. Ndarja e fesë nga shteti nuk nënkupton heqjen e çdo gërme që lidhet me fenë, por moslejimin e klerikëve që të udhëheqin shtetin. Ndërkohë, bota e civilizuar i trajton fetë në arsim qoftë historikisht, dogmatikisht, filozofikisht, etj. Përveç Shqipërisë, kuptohet.

E katërta: Feja s’mund të lihet pa u trajtuar nga arsimi publik, pasi ajo nuk është një legjendë apo gojëdhënë popullore, por realiteti më i madh global. Shumica e njerëzve të globit e ka një fe, dhe nisur nga kjo, ajo nuk mund të anashkalohet nga arsimi, sepse kështu arsimi margjinalizon vetveten dhe getoizohet, duke mos e përfshirë këtë fenomen kaq esencial të jetës. Prandaj edhe bota e civilizuar e trajton në arsim.

E pesta: Ndalimi i lëndës fetare në arsim krijon një precedent të rrezikshëm, sepse, nëse sot ndalohet kjo lëndë, nesër në bazë të kësaj logjike duhen mbyllur shkollat fetare, pasnesër komunitetet fetare, etj. Ndryshe nuk mund ta ruajmë sekularizmin!

E gjashta: Sekularizmi e lejon një gjë të tillë, por jo laicizmi. Që këtej, duhet bërë dallimi midis laicizmit dhe sekularizmit. Sekularizmi është term më i gjerë, madje, si për ironi, për herë të parë këtë term e futi feja që nga lëvizja e Luterit për të reformuar Krishterimin. Më pas ky term mori hov edhe nga iluminizmi. Ndërkohë, laicizmi, i cili lindi në Francë më 1870, është term më specifik dhe më agresiv. Themi specifik, sepse, nisur nga specifikat që ka Franca prej lëvizjeve demografike dhe të emigrantëve të Afrikës së Veriut, shpesh detyrohet të marrë masa të rigoroze ndaj kulturave të importuara për ta ruajtur kulturën e vet nga asimilimi. Tani, fjala vjen, Franca kërkon të luftojë nënshtetësinë e dyfishtë. Por ky nuk është rasti i vendeve të tjera. Amerika sekulariste, për shembull, sekularizmin e ka një “arbitër” asnjanës, që i rregullon dhe i stabilizon marrëdhëniet e tërë shoqërisë religjioze. Por ajo kurrë nuk e ndalon mësimin e fesë nëpër ente arsimore, prandaj dhe në paranë e saj gjejmë postulatin, In God We Trust. Po ashtu, edhe vendet e tjera sekulariste janë shumë tolerante, siç i cituam ca edhe më lart. Ndërkohë, Shqipëria është vend më laik se Franca!

Ndalimi i integrimit të kulturës fetare në arsimin publik nuk është i vetmi fenomen për të cilin vuan shoqëria jonë; lëvizje që do duhej të ishin bërë që në vitin ’91 është turp që akoma sot e kësaj dite vihen në diskutim. Ligji për hapjen e dosjeve, për dekomunistizimin, për kthimin e pronave tek pronarët, për ndëshkimin e figurave dhe eksponentëve komunistë, etj., janë vetëm disa simptoma të bakterit komunist që qarkullon në venat tona. Kësisoj, nuk kishte si të shpëtonte edhe feja, prandaj themi të mos e fusim lëndën fetare në shkolla, që të gjallojë akoma komunizmi!


*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.