A do ta pengojë sërish me gaz Vetëvendosja demarkacionit?


E hënë, 29 Gusht 2016

kuvendi-i-kosoves gaz

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të pengoj votimin për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, që pritet të bëhet më 1 shtator në Kuvendin e Kosovës. Shpend Ahmeti nga VV-ja, ka thënë se kjo do të bëhet me metoda paqësore.

Seanca për votimin e ratifikimit të demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në Kuvendin e Kosovës, e paralajmëruar të mbahet më 1 shtator, duket se nuk do të zhvillohet normalisht. Kjo sepse Vetëvendosje ka paralajmëruar pengimin e votimit, sipas tyre, me metoda paqësore. Një nga këto metoda mund të jetë edhe gazi lotsjellës, transmeton lajmi.net

“Mund të garantoj vetëm një gjë. Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje nuk do ta votojnë demarkacionin. Nuk mund të garantoj për asnjë subjekt tjetër, madje jam goxha i sigurt se disa prej deputetëve të koalicionit qeverisës, të cilët po thonë se nuk do ta votojnë, do ta votonin nëse do ta kenë mundësinë. Deputetët e Vetëvendosjes do ta pengojnë votimin e demarkacionit me metoda paqësore, ndërsa qytetarët do të jenë në protestë në mbështetje të deputetëve dhe për t’i treguar këtij koalicioni se ky demarkacion nuk bën të kaloj”, ka deklaruar Shpend Ahmeti, në një intervistë për gazetën Epoka e Re.

Vetëvendosje tashmë është duke përgatitur aksionet për ditën e 1 shtatorit. Përveç mobilizimit në Kuvendin e Kosovës, kjo partia ka thirrur edhe qytetarët që të dalin në protestë para Kuvendit, për të parandaluar kalimin e Demarkacionit.

Në anën tjetër, dy partitë e koalicionit, të cilat e kanë mbështetur versionin e vijës kufitare me Malin e Zi, po bëjnë përpjekje që të bindin deputetët për të votuar Pro.