E shtunë, 30 Dhjetor 2017
Para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, shohim çdo ditë fytyra të çuditshme që vërtiten paqëllim, padrejtim e pashpresë, personalitete tmerrësisht të hidhura e shumë prej tyre të bukura, joshëse e të pafajshme. Duhet të jesh goxha i shkëputur nga bota e zymtë që të shohësh realitetin e besa, duhet gëlltitur hidhërimet e përditshme nga heretikët e shumtë që i pafaj të mbetësh. Në ato skutat e errëta ku me gjasë keni ndërtuar personalitetin tuaj rëndom jeni shkatërruar duke menduar se cak i lumturisë është flijimi i të tjerëve për arritjen e qëllimeve tuaja. Asgjëkund nuk do shkoni me personalitetin e ndërtuar mbi pikëllimin e dikujt tjetër e asnjëri nuk do mbetet i pafaj në një shoqëri ku i miri paragjykohet për mirësinë e tij ndërsa i keqi falet për çdo gabim. Vendet ku shprehni prapësitë janë të mbuluara me njerëz të vegjel, kështu si puna ime, por që sa andej-këndej, kushedi sa herë i keni rritur e ngritur deri në hënë në menyra nga më të ndryshmet për t’i treguar botës që janë dikushi. E po të njejtit konsiderojnë që ata që mendojnë ndryshe ose janë ”shpellarë”, ose janë të prapambetur, ose janë të çmendur. Sepse, rrugën e hapur gjithmonë do ta ketë llafazani të çirret pro-pushtetit e anarkisë, rrugën e hapur do e ketë spiuni, rrugën e hapur e ka përgjithmonë Çakalli. Lejoni rrugë të hapur edhe atyre që shkatërrojnë shoqërinë haptazi, që degjenerojnë çdo individ duke filluar nga rrënjët e duke çrrjenjosur po aty çdo vlerë të këtij populli. Helbete, mos arrini ta shpëtoni nga kthetrat e ”moralit”. Luftoni njerëzit e mirë e le të mbeteni vetëm ju, elita e krimit të pasosur dhe aty-këtu ndonjë shkrimtar i oborrit do vazhdojë të shkruajë për ju, për ju që fjala juaj është mbret e përtej mbretit. Të paprekshëm, për ironi!
Më duhet pranuar që i mbyllur jam, të puthurën e paqes ia dhashë këtij populli e nuk e vlerësoi. Nuk u ndala. Përkundrazi, vazhdova e durova si thonë: si s’duron njëri. Nuk ju kritikova se lëndoheni, nuk ua përplasa të vërtetën sepse nga gërmadhat ku gjendemi së bashku, mundoheshim të ndërtonim një perandori, po perandoria e re nuk ndërtohet me gurët e perandorisë së shkatërruar, o zotëri. I pashuar u tregova që tërbimin ta shprehë ndaj së keqes që vjedh e përdhos këtë popull çdo ditë. Me zor, me zor të madh, përpija çdo hidhërim që më shkaktuan duke u munduar që zëri i drejtësisë të prekë çdo provincë, që të përdhosën kriminelët e të lartësohen heronjtë që hero vetës asnjëherë nuk i thonë. Por jo, kjo shoqëri e do Çakallin, e do gjaksorin dhe e mbyt skamnorin. Kjo shoqëri preferon të pranojë një gënjeshtër me një ton të butë sesa një të vërtetë me ton të ashpër. Oh, ç’tmerr! Aq i errët shfaqet çdo ditë e ne e përgëzojmë për dritën që reflekton. Veç përpiqesha t’i tregoja kësaj shoqërie sesa e dua, e nën të njëjtin qiell të Prishtinës, shoqëria e do atë që e urren. Herezi, qoftë herezi.
I pashpresë duhet të kthehem çdoherë nga takimi me “gazetarin X” i cili është i pashoq në taborrin e të mirëve e punë nuk gjenë, e në fund, dëshiron të ikë nga Kosova. Pse vallë ? Sepse ti, shok i dashur, shoqe e dashur, i dhe një rast Çakallit të jetë vlerë e shoqërisë. Ai po ikën, shoku yt mjek e shoqja mësuese po ikin, unë do të ikë gjithashtu një ditë dhe këtu le të mbetën veç Çakalli me shokët e tij pijetarë. Le të hanë, le të pijnë e shkatërrojnë çdo përpjekje për ndryshim, t’i mbushin barqet me ushqim Siriusi e në Evropë djersën e popullit naiv le ta tretin. Sepse, ne duhet të vdesim në spitalet e shtetit gjersa yt bir zotëri e përtej zotërisë, shkelqësia juaj, të shëtitet me paratë tona në Evropë e ti, ti më i miri i botës, të takohesh me presidentët e botës, i mbërthyer me kollare e këmishë të bardhë që do marrë ngjyrën e gjakut nga gjaku dëshmorëve një ditë, të jeshë i pari. Gjoja ti më meritori për gjithçka. Duhet të jetojmë jetën e mjerimit duke u vërtitur në punë që fundja nuk të paguhet dot as për ushqim e drita në fundmuaj. Ti mbërthehu mirë me pallto italiane e këpucë të modës së fundit sepse babai yt, çakall përtej çakallit ishte dorë e djathtë e Çakejve të mëdhenj. Lum miku, mos harro, në baltë e le e në baltë e gjete vendin tënd. Lumturia jonë mbetet veç një lutje e pranuar në spitalet e qytetit…asgjë më shumë.
Kryeministër i dashur,
President i dashur,
Hapni kufinjtë.
Na lironi të ikim e karriget e lëkurta po ua falim, arkat e bukura të shtetit merrni, ndërtoni edhe nga pesë vila në Prishtinë e në Zvicër dërgojeni pasurinë, pasurinë për nipërit e stërnipërit. Merrni të gjitha. Jetoni së bashku me këngëtarët që i këndojnë kokainës, me njerëzit e krimit e me masazhistet e qytetit që hapur bëjnë prostitucion. Le të largohet rinia për të gjetur vetën në skutat e Gjermanisë, Amerikës a Kanadasë e mos të tretemi në gojën e çakejve duke punuar për njëqind e pesëdhjetë eurot pa ushqim e pa siguri.
Me trishtim të them, na lejoni të ikim.
Hapni kufinjtë e kënaquni më pasurinë tonë. E nëse jo, hapu dhé e të futemi sepse këtu lumturi nuk ka, këtu do ketë vetëm mjerim sepse mjerimi që mbillet do të korret. Edhe më tej, përpara Biblotekës Kombëtare në Prishtinën e shpendit joshtegtar duhet të pres, të pres edhe një tjetër mengjes që kësaj here të vijë më i mirë…
Kështu, lumturia jonë, në këto troje të braktisura nga fati, është veç një fjalë.
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.
Etiketa: Opinione, Përparim Blakaj