Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

A mund të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Prizren Post | 20:42 - 06.12.2014

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet në kohën kur Serbia të njoh shtetin e Kosovës, është thënë të shtunën gjatë një debati të organizuar në Prishtinë nga Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse ndërmjet deputetëve të Kosovës dhe Serbisë.
Deputetët e të dyja vendeve kanë mbështetur dialogun dhe kanë kërkuar që edhe parlamentet të kenë rolin e vet në këtë proces. Por, pikëpamjet ishin të ndryshme tek çështja fondamentale – ajo e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë.

Ambasadorja zvicerane në Prishtinë, Christina Marti, ka thënë me këtë rast se vetëm përmes bisedimeve, Kosova dhe Serbia mund të arrijnë deri te normalizimi i marrëdhënieve në mënyrë që qytetarët e të dyja vendeve të përfitojnë nga ky proces.

Gjatë debatit, deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës kryesisht kanë vënë theksin në çështjen e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë, si parakusht për normalizim dhe bashkëpunim ndër shtetëror. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, ka thënë me këtë rast se Serbia nuk mund të bëjë më vetëm hapa simbolik, por duhet të njohë Kosovën si shtet .

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati, ka thënë se normalizimi dhe dialogu janë një proces dhe se ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës, ku përveç politikës duhet të ketë një bashkëpunim edhe ndërmjet shoqërisë civile.

Ndërkohë, deputetët serbë nga Kuvendi i Serbisë kanë vënë theksin në dialog dhe normalizim, por jo edhe në nevojën e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë.

Deputetja Partia Demokratike, Aida Çoroviq, ka thënë se dialogu është forma e vetme që do të kthejë normalitetin e marrëdhënieve në rajon.

Edhe Dejan Radenkoviq, deputet i Partisë Socialiste të Serbisë, ka mbështetur vazhdimin e dialogut dhe normalizimit.

“Është më mirë të bisedohet 100 vjet sesa të luftohet një ditë”, ka thënë Radenkoviq, i cili shton se nuk qëndrojnë pohimet se përmes dialogut po njihet pavarësia e Kosovës nga ana e Serbisë.

Komuniteti ndërkombëtar deri më tani kryesisht ka kërkuar vendosje të dialogut Prishtinë-Beograd, por pa e kushtëzuar këtë proces me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. /REL/


Etiketa:
Arivisti Company