Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

A mund të bëhet realitet udhëtimi në kohë? Përgjigjen e jep Fizika Kuantike

Prizren Post | 14:30 - 01.12.2016

Eroll VELIJA

Prof. Eroll VELIJA

Nëse dikush që udhëton në kohë do të kthehej pas dhe do të takonte gjyshërit, a do ta parandalonte lindjen e tij? Ky është thelbi i një teorie të famshme, e njohur si “paradoksi i gjyshit”, që do të thotë se udhëtimi në kohë është i pamundur. Mirëpo disa kërkime kanë arritur në përfundime të tjera.

Një grup shkencëtarësh ka krijuar, për herë të parë, një simulim, me anë të të cilit do të mund të shohin si mund të ndërveprojnë dy fotone që udhëtojnë në kohë. Ata sugjerojnë se, të paktën në nivel kuantik, kapërcimi i kohës mund të jetë i mundur.
Studimi përdori fotone – grimca të vogla drite – për të stimuluar grimcat kuantike për të udhëtuar në kohë. Duke studiuar sjelljen e fotoneve, shkencëtarët treguan aspekte të çuditshme të fizikës moderne.

Në simulim, kërkuesit ekzaminuan dy rezultate të mundshme për një foton që udhëton në kohë. E para, “fotoni 1” do të udhëtonte përmes “vrimës së krimbit” drejt së shkuarës dhe do të ndërvepronte me versionin e tij më të vjetër. E dyta, “fotoni 2” udhëton përmes kohë-hapësirës normale, por ndërvepron me një foton, që ka ngecur në një lak udhëtues në kohë, përmes një “vrime krimbi”, i njohur si “kurba e mbyllur e kohës”.

Kërkimi u bë nga një grup shkencëtarësh në Universitetin “Queensland” në Australi dhe rezultatet u publikuan në revistën “Nature Communications” (“Komunikimet e Natyrës”).

Çfarë është një “vrimë krimbi”?

Koha dhe hapësira mund të përkulen dhe të shformohen. Nevojitet një sasi e madhe materieje dhe energjie, për të krijuar shformime të tilla, por teorikisht, ato janë të mundura.
Në rastin e “vrimës së krimbit”, kopja krijohet duke përkulur strukturën e kohë-hapësirës. Kjo i ngjan palosjes së një cope letër me dy shenja lapsi, të bëra mbi të, të cilat janë analoge me dy pika në kohë-hapësirë. Vija midis tyre tregon distancën nga njëra pikë në tjetrën, në një kohë-hapësirë normale.

Udhëtimi në kohë

Udhëtimi në kohë është ideja e lëvizjes ndërmjet pikave të ndryshme të kohës, në një mënyrë të ngjashme me lëvizjen ndërmjet pikave të ndryshme në hapësirë, zakonisht duke përdorur një pajisje të hamendësuar, të quajtur makina e kohës. Udhëtimi në kohë është një koncept i njohur në filizofi dhe fantashkencë, por udhëtimi në një pikë të çfarëdoshme në kohë ka mbështetje tepër të kufizuar në fizikën teorike, zakonisht vetëm së bashku me mekanikën kuantike ose vrimat e krimbit. Udhëtimi në të ardhmen, nëpërmjet bymimit të kohës, është një fenomen i provuar mjaft mirë në fizikë (relativiteti) dhe përjetohet gjithmonë nga astronautët, por vetëm me disa milisekonda. Për të mundësuar udhëtimin në të ardhmen për disa vite, do të duhej që lëvizja të kryhej me shpejtësi të krahasueshme me shpejtësinë e dritës, por kjo sot për sot është teknologjikisht e pamundur.[1]. Për shembull, nëse nga dy vëllezër binjakë nga 30 vjeç, njëri prej tyre do të udhëtonte drejt yllit Vega me shpejtësi të afërt me shpejtësinë e dritës, kur të kthehej në Tokë, ai do të ishte vetëm 37 vjeç, ndërsa vëllai i tij do të ishte plot 69 vjeç. Pra vëllai i parë do të udhëtonte 42 vite përpara në kohë.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Arivisti Company