A po formohet “Ushtria e Sanxhakut”?


E enjte, 18 Shtator 2014
Ismet AZIZI

Ismet AZIZI

Në rrjetet sociale janë paraqitur disa faqe të cilat kanë të bëjnë me krijimin e “Ushtrisë së Sanxhakut”. Në një faqe të hapur në facebook para 4-5 ditëve, bëhet thirrje për formimin e “Ushtrisë së Sanxhakut”. Në disa postime tjera ftohet çdo individ që të armatoset sa më mirë. E gjithë kjo arsyetohet me mbrojtjen e popullsisë boshnjake dhe territorit të Sanxhakut.

pohod-na-hadzet-24

Në lidhje me hapjen e kësaj faqe të internetit, për prononcimet dhe thirrjet që janë bërë, është deklaruar edhe Reshat Pllajoviq në emër të Bashkësisë Islame. Ai për TV B92 ka deklaruar: “Konsiderojmë se ky është një keqpërdorim i një manifestimi të qetë kulturor me qëllim të diskreditimit të sajë si dhe organizatorët e tij, dhe po ashtu edhe nxitje të mosbesimit dhe panik ndërmjet qytetarëve të këtij regjioni”.
Pllajoviq, poashtu, ka shtuar se kush qëndron pas kësaj thirrje dhe këtij keqpërdorimi përgjigjen mund dhe duhet ta gjej te organet përgjegjëse të këtij shteti. Gjithashtu, ai deklaroi se mbrojtja e qytetarëve dhe e regjionit është detyrë e shtetit dhe organeve të tij. Ai shtoi se pas këtyre thirrjeve “qëndrojnë ata të cilët gjatë këtyre ditëve në mediet serbe vazhdojnë të paraqesin-shtrojnë akuza të tmerrshme dhe gënjeshtra në llogari të BI dhe ndaj udhëheqësish së sajë, të cilët në këtë mënyrë sigurojnë edhe më tutje vëmendjen e medieve”.
Nuk dihet se kush i ka hapur këto faqe në internet. Prokurori serb për kriminalitet të lartë teknologjik, Branko Stamenkoviq, për TV B92 deklaroi se tashmë ka reaguar dhe ka kërkuar nga Ministria e Brendshme të grumbulloj informacione.
Prokurori Stamenkoviq tha se menjëherë, sapo është njoftuar se një faqe e tillë ekziston, është hapur procedura dhe ka kërkuar nga Ministria e Brendshme që të mbledhë të gjitha të dhënat. “Ka disa indikacione të caktuara se mundë të veprohet në këtë çështje, dhe pasi të mblidhet materiali, do të njoftohet opinioni publik”, ka deklaruar Stamenkoviq.
Supozohet se qëllimi i formimit të “Ushtrisë së Sanxhakut,” sipas shkrimeve të autorit në faqen e internetit, është mbrojtja e popullsisë boshnjake dhe jo serbe, po ashtu edhe mbrojtja e territorit të Sanxhakut. Kjo dukuri është duke ndodhur pas kërcënimeve të çetnikëve të kthyer nga Ukraina, të cilët kanë paralajmëruar marshimin nëpër rrugët e Pazarit të Ri .
“Presim që autoritetet shtetërore do të reagojnë sa më shpejtë që është e mundur, për shkak se ky është momenti i fundit për të treguar seriozitetin e sistemit, se institucionet punojnë, që askush nuk mund të krijojë një panik të tillë,” ka deklaruar për B92 Meho Omeroviq anëtarë i Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave. Omeroviq shtoi se këtu bëhet fjalë për shkelje të ligjit.

Duhet përmendur se TV B92 nuk ka transmetuar deklaratën e drejtorit të medresesë Reshad Pllojoviqit, e cila është bërë me kërkesë të korrespondentit të B92, dhënë këtij televizioni.
Në një takim me simpatizantët e tij në Novi Pazar, zëvendëskryeministri i Serbisë Rasim Lajiq, vuri në dukje se një grusht njerëzish sipas tij, duan të tërheqin vëmendjen për veten e tyre dhe me budallallëqet e tyre të ndryshme po i shkaktojnë dëme të mëdha tërë popullit.

“Marshimi në uniforma të gjelbra, deklarata të ndryshme ekstremiste dhe nacionaliste, përmendja e sërishme e autonomisë për Sanxhakun dhe çdo gjë tjetër që kemi dëgjuar në 15-20 ditët e fundit në Novi Pazar na kthen në vitet e nëntëdhjeta, të kaluarën e shëmtuar dhe na shkakton dëme të mëdha. Por , Novi Pazari iu thotë jo këtyre veprimeve. Shumica e njerëzve këtu duan punë, rrugë, shkolla, investitorë të huaj dhe prosperitet. Shumica këtu dëshirojnë në vend të uniformave ushtarake të shohin ato të punëtorëve, inxhinierëve, mjekëve … ” tha përveç tjerash Lajiq duke abstrahuar faktin se ai më tepër se 20 vite është në pushtet, dhe se për gjendjen e mjerueshme në Sanxhak pikërisht ai më së shumti është fajtorë. Edhe më tepër, sipas shumë analistëve, Lajiq është ministër i “përhershëm” në qeverinë serbe, pavarësisht se cila parti është në pushtet.

Të gjitha këto ngjarje po ndodhin në prag të zgjedhjeve për Këshilla Nacionale. Si duket kundërshtarët politik i ka kapluar paniku, sidomos Rasim Lajiqin, të cilin po e pengon përafrimi i Bashkësisë Islame në krye me myftiun Zukorliq dhe Partia e Aksionit Demokratik (SDA) e Sulejman Uglaninit.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.