Ahmeti kritikohet për injorim të shtetit dhe institucioneve të Kosovës


E hënë, 25 Maj 2015

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk e ka vendosur flamurin shtetëror në ceremoninë e vendosjes së shtatores së Ismail Qemalit, me arsyetimin se nuk ka qenë ceremoni ndërshtetërore.

Mosvendosja e flamurit të Republikës së Kosovës në atë ceremoni të mbajtur të shtunën ka shkaktuar reagime të shumta si nga organizata joqeveritare ashtu edhe nga parti politike e artistë shkruan sot Koha Ditore.

Në ceremoni, ku mori pjesë edhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, u pa i vendosur vetëm flamuri kombëtar dhe ai me simbolet e Prishtinës. I pari i kryeqytetit e ka arsyetuar këtë veprim duke thënë se ajo nuk ishte një ceremoni ndërshtetërore.

“Nuk ka qenë ceremoni ndërshtetërore. Ka qenë iniciativë e Komunës së Prishtinës me qytetarët e Vlorës për ta nderuar themeluesin e shtetit shqiptar”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti me këtë rast ka bërë edhe shkelje të Ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore. Neni 7 i këtij ligji parasheh se flamuri shtetëror i Kosovës duhet të vendoset me rastin e arritjes zyrtare të udhëheqësit të një shteti të huaj ose të përfaqësuesit të autorizuar të organizatës ndërkombëtare në Republikën e Kosovës.

Riza Smaka, ekspert i së drejtës kushtetuese, ka thënë se ka qenë e domosdoshme vendosja e flamurit të Kosovës në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Ismail Qemalit, duke theksuar se një gjë e tillë është e paraparë me Ligjin për përdorimin e simboleve shtetërore, i cili, shtoi ai, është ligj i mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Mosvendosja e flamurit është kritikuar edhe nga organizata joqeveritare INPO, e cila monitoron punën e Komunës së Prishtinës.

Edhe shefi i Grupit parlamentar të PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, ka thënë se ky veprim është lojë që dëmton identitetin e shtetit.
Mosvendosja e flamurit është kritikuar edhe nga artistët.

Etiketa: