E shtunë, 9 Maj 2026

Pas kësaj recete nuk keni për ta blerë më akulloren nëpër dyqane.
E shijshme, e thjeshtë dhe me aromën fantastike të çokollatës dhe copat krokante të lajthive, çfarë mund të kërkoni më shumë nga një ëmbëlsirë e tillë.
Përbërësit
- 2 gota me qumësht
- 300ml pana
- 4 të verdha vezësh
- Gjysmë gote me sheqer
- 1 bustin me sheqer vanilje
- 200 g lajthi
- 200g çokollatë
Përgatitja
- Si fillim thyeni vezët dhe në një tenxhere kaloni vetëm të verdhat, të cilat do t’i rrihni me telin e kuzhinës.
- Më pas aty shtoni edhe sheqerin dhe mundohuni të formoni një masë kremoze.
- Mundohuni që kokrrat e sheqerit t’i shkrini plotësisht.
- Tani shtoni edhe qumështin, i cili duhet të jetë me yndyrë, dhe më pas panën e ëmbëlsive dhe përsëri t’i rrihni.
- Vendoseni tenxheren në zjarr dhe lëreni në zjarr mesatar.
- Mundohuni që ta largoni nga zjarri sapo të formohen bulëzat e para që lajmërojnë se masa po vlon.
- Mos harroni që masën duhet ta përzieni gjatë gjithë kohës me telin e kuzhinës, do t’ju duhet rreth 15 minuta për të gjithë procesin.
- Kur të shihni që masa do të ketë nisur të mpikset atëherë futeni të gjithë tenxheren në një tas me ujë të ftohtë dhe lëreni aty për disa momente.
- Ndërkohë bluani lajthitë, por jo derisa të bëhen pluhur.
- Duhet të jenë të thërrmuara, në mënyrë që të ndihen krokante kur të përgatisni akulloren.
- Shtojini lajthitë tek tenxherja dhe kalojeni të gjithë masën në një enë.
- Enën mbylleni me kapak dhe futeni në ngrirje për 30 minuta.
- Ndërkohë në një xhezve ngrohni 100ml pana ëmbëlsirash dhe shkrini aty çokollatën.
- Nxirreni akulloren nga frigoriferi dhe shtoni aty çokollatën e shkrirë, përziejeni mirë dhe futeni përsëri në ngrirje.
- Lëreni në frigorifer derisa masa të jetë ngrirë plotësisht.
- Më pas mjafton ta shijoni me familjen tuaj.
Burimi: mesazhi
