Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Albin Kurti merr në dorë negociatat me Serbinë

Prizren Post | 08:03 - 10.09.2014

Prishtinë – Blloku ka pranuar që negociatat me Serbinë t’i udhëheqë Albin Kurti dhe kjo ka shkaktuar habi dhe nervozizëm tek ambasadat perëndimore në Prishtinë, të cilat duket se do të dalin publikisht për ta kundërshtuar këtë. Madje, indirekt, që sot Ambasadorja e SHBA-ve shfaqi pakënaqësinë e shtetit që përfaqëson zhvillimet në këtë drejtim.

Tashmë është zyrtare se Blloku LDK-AAK-Nisma ka arritur marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëqeverisje, pas dy muajsh negociata.

Burime të gazetës ‘Express’, thonë se Blloku ka pranuar që bisedimet t’i udhëheqë Albin Kurti, një përgjegjësi kjo që deri më tani e ka pasur kryeministri i vendit.

“Pra, Blloku dhe Ramush Haradinaj, si i nominuar për kryeministër, përgjegjësinë e udhëheqjes së negociatave e kanë bartur te Vetëvendosja”, tregon burimi i gazetës ‘Express’.

Por kjo ka shkaktuar habi dhe nervozizëm tek ambasadat perëndimore në Prishtinë.

“Procesi i dialogut është jetik për Kosovën dhe nëse ky proces udhëhiqet nga kundërshtari më i madh i tij, Albin Kurti, dihet se nuk mund të mendohet se do të shënohet ndonjë rezultat në këtë proces. Për ne kjo është plotësisht e papranueshme”, ka treguar për gazetën “Express” një diplomat i akredituar në Prishtinë.

“Nëse kjo marrëveshje nënshkruhet nga palët, atëherë ne do të dalim publikisht për ta kundërshtuar atë.”

I njëjti burim thotë se vendet e Quintit mbështesin plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe janë të bindur se Blloku duhet të lëshojë pe, në mënyrë që PDK-ja ta marrë postin e kryeparlamentarit.

Por Ramush Haradinaj duket se po mendon ndryshe.

“Kreu i AAK-së është i interesuar jetësisht për ta marrë postin e kryeministrit, dhe nëse kryeparlamentari i jepet PDK-së, atij do t’i prishej kjo matematikë, pasi në LDK do të rritej pakënaqësia, sepse lideri i tyre nuk do të kishte asnjë post të rëndësishëm”, kanë treguar burime për “Express”.

Në këtë kontekst, duket se është arritur edhe marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ne jemi të bindur se duke qenë Vetëvendosja me ne, PDK-ja do të tërhiqej nga bllokada në Parlament dhe ne do të na hapej rruga për rizgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryeparlametarit”, ka thënë një zyrtar i Bllokut.

Ndërkohë, në një mënyrë, Ambasadorja e SHBA-ve në Prishtinë, ka shfaqur pakënaqësinë e shtetit që përfaqëson me zhvillimet në vend; pra me hyrjen e Vetëvendosjes në Qeveri me kushtin që ajo t’i udhëheqë negociatat me Serbinë.

“Dy sukseset më të mëdha që prej ardhjes sime këtu; dialogu dhe zgjedhjet. Kosova duhet të zotohet se këto suksese t’i çojë përpara, e jo prapa”, ka shkruar ajo në Twitter.


Etiketa:
Arivisti Company