Ambasadorja Kılıç: Turqia do të dalë edhe më e fortë nga situata e krijuar


E premte, 5 Gusht 2016

kilic demolli

Prishtinë – Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës(MFSK), Haki Demolli priti sot, në vizitë zyrtare në ministri, ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kilic e cila shoqërohej edhe nga atasheu ushtarak i Turqisë në Republikën e Kosovës, kolonel Necdet Ozdemir.

Ministri Demolli e falënderoi ambasadoren Kilic për bashkëpunimin dhe mbështetjen që Qeveria e Republikës së Turqisë dhe Ministria e Mbrojtjes së Turqisë kanë dhënë dhe po japin për Ministrinë e Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Demolli duke i shprehur ngushëllime Ambasadores turke për humbjen e jetëve të njerëzve, tha “Republika e Turqisë është një partner i yni strategjik dhe për këtë ne duam që ajo të jetë stabile dhe në paqe”.

Ministri konfirmuar se bashkëpunimi bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes të Turqisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, shprehu solidaritetin me popullin e Turqisë, të cilët, siç tha Ministri, mbrojtën demokracinë dhe lirinë në vendin e tyre.

Nga ana e saj, ambasadorja e Turqisë në Republikën e Kosovës, Kiliç e falënderoi ministrin Demolli për pritjen si dhe për bashkëpunimin e deritashëm në mes dy Shteteve dhe dy ministrive; Ministrisë për FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Turqisë, gjithashtu edhe për solidaritetin e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së FSK-së me Qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Turqisë edhe me popullin turk në përgjithësi.

Kilic u shpreh optimiste se Republika e Turqisë do të dalë edhe më e fortë nga situata e krijuar dhe se bashkëpunimi me Kosovën dhe Ministrinë e FSK-së, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në fund, ambasadorja e Turqisë në Republikën e Kosovës, Kilic u shpreh “Ne duam që Kosova e bukur të ketë të ardhme të ndritur dhe marrëdhëniet tona, në mes të dyja shteteve dhe dy popujve, të intensifikohen në të ardhmen në të gjitha segmentet e jetës”.