Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Amnisti për serbët e veriut, SHIK-un e SiA-n

Prizren Post | 09:39 - 11.06.2013

Ligji për Amnistinë që pritet të miratohet brenda një periudhe të shpejtë kohore, pritet ta përcaktojë faljen e veprave të caktuara jo vetëm për strukturat paralele serbe, por edhe të strukturave paralele të partive politike shqiptare që kanë vepruar pas luftës.
Burime ndërkombëtare në Prishtinë i kanë thënë “Tribunës” se me këtë Ligj parashihet të falen disa vepra të strukturave ilegale që kryesisht ndërlidhen me strukturat paralele të sigurisë.

Nga radhët e strukturave serbe, ky burim parasheh amnisti për pjesëtarët vendorë serbë që kanë punuar për BIA-n, pastaj pjesëtarët vendorë serbë që kanë punuar për MUP-i dhe gjatë rekrutimit të tyre ata do të amnistohen dhe integrohen në strukturat vendore, si dhe pjesëtarët vendorë serbë të Mbrojtjes Civile, disa prej të cilëve do të tentohet të përfshihen edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndërkaq, sa u përket strukturave shqiptare, këto burime bëjnë me dije se do të amnistohen veprime e vepra të pjesëtarëve të Shërbimit Informativ të Kosovës – SHIK, si dhe Sigurimin e Atdheut – SiA.

Veprat që parashihet të falen, sipas të njëjtave burime, nuk kanë të bëjnë me vrasjet dhe krimet e tjera të rënda, njofton Telegrafi.


Arivisti Company