E enjte, 10 Dhjetor 2015
Grupi i hakerëve Anonymous e ka zgjeruar listën e personave që do t’i sulmojë.
Anonymous i ka shpallur luftë kandidatit republikan për president në SHBA, Donald Trump për shkak të fjalimeve të tij raciste.
Trump ka deklaruar se nëse ai bëhet president, do të ndalojë që në SHBA të hyjnë myslimanët.
Anonymous ka sulmuar profilet në Twitter, si dhe për një kohë të caktuar uebfaqja e Trumpit ka qenë jashtë funksionit.
Ky grup ka kërcënuar Trumpin se do të hyjë në ueb faqet e kompanive të tij të ndërtimit si dhe të bizneseve të tjera .
Anonymous ka publikuar një video, duke iu përgjigjur komenteve raciste të Trumpit dhe duke thënë se ai duhet të ketë kujdes se çfarë flet.
“Donald Trump ka marrë vëmendjen tonë pasi ka thënë se do t’ua ndalojë të gjithë myslimanëve hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Kjo politikë e tij, do të ketë ndikim të madh. Kjo është ajo çfarë ISIS-i dëshiron. Sa më shumë myslimanë të ndjehen të pikëlluar, aq më shumë ka gjasa ISIS-i që t’i rektruktojë ata. Sa më shumë që SHBA-ja të duket se po vë në shënjestër myslimanët, jo vetëm myslimanët radikalë, aq më shumë ata do të ndikohen nga fushata nëpër rrejtet sociale të ISIS-it”,ka thënë një anëtarë i Anonymous, i cili po mbante maskë në fytyrë, tashmë simbol identifikues për këtë grup hakerësh.