Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Arben Puto: Nuk shfuqizohen kufijtë e vitit 1913

Prizren Post | 10:00 - 03.08.2013

Tiranë, 3 gusht – Plot 100 vjet më parë, Shqipëria u copëtua në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Sot, një shekull nga koha kur vendi ynë u bë tortë shpërblyese për fqinjët pas Luftës Ballkanike, gjithnjë e më shumë janë shtuar zërat që kërkojnë ribashkimin e trojeve etnike.

Zërat janë bërë edhe më të fortë ndërsa krahas tyre ka pasur edhe protesta, të cilave mediet e huaja iu kanë kushtuar vëmendje jo thjesht prej kërshërisë, por edhe për shkak të shqetësimit me të cilin i kanë pritur fqinjët idenë për “Shqipërinë e madhe”.

Prof. Arben Puto është një prej ekspertëve më të njohur të së drejtës ndërkombëtare. Studiues e historian, profesori është marrë gjatë me periudhën historike të fillimit të 1900-ës.

I pyetur nëse është e mundur që Shqipëria të ribashkohet, ai shprehet se ka dëgjuar shumë për këtë çështje. Madje, ka edhe mendime që vendimi i 1913-ës të hidhet në gjyq ndërkombëtar, por kjo sipas tij është absurde! “Problemi mund të denoncohet nga historianët, por nuk mund të shfuqizohet si vendim. Fundi i fundit, ata që e kanë këtë ide, le ta çojnë çështjen në gjyq, le të provojnë t’i drejtohen gjykatës”, tha Puto për Balkanweb.

Profesori risjell në kujtesë se Fuqitë e Mëdha me vendimin që dhanë më 1913, praktikisht e copëtuan Shqipërinë duke i ndarë trevat e saj në disa shtete. “Dihet se me këta kufij të caktuar prej Konferencës së Ambasadorëve në Londër, gjysma e trojeve mbeti jashtë shtetit shqiptar. Kjo ka qenë padrejtësi e madhe”, vëren profesori. Ai nënvizon se këtë padrejtësi nuk e kemi denoncuar vetëm ne si historianë, por e ka pranuar edhe kryetari i Konferencës së Ambasadorëve, Edwrd Gray. “Në maj 1913, ai bëri një deklaratë në Dhomën e Komunave dhe tha: Po të gjykohet çështja nga një pikëpamje e thjesht lokale, do të ketë vërejtje shumë serioze për atë çfarë u bë aty. Po të shikohet nga rasti i veçantë ka padrejtësi dhe do të ketë shumë vërejtje, por ky vendim qe i detyrueshëm për të ruajtur harmoninë mes Fuqive të Mëdha, për të ruajtur paqen në Europë”, kujton Puto.

Por, pavarësisht sfondit historik në të cilin u mor vendimi, apo faktit se kemi të bëjmë me një padrejtësi, për Puton ai nuk mund të shfuqizohet. “Në fund të fundit ata që mendojnë ta shfuqizojnë, le të bëjnë një përpjekje. Kujtoj këtu se konferenca e Fuqive të Mëdha është e një niveli të lartë. Kjo është vërtetuar në kohë krizash të mëdha. Vendimet e marra prej tyre janë të paapelueshme”, vlerëson eksperti i së drejtës ndërkombëtare. Ai shton se Koncepti Europian mori goditje në Konferencën e Paqes më 1919 nga presidenti amerikan Wilson, i cili denoncoi diplomacinë e fshehtë, edhe traktatin e fshehtë të Londrës më 1915, ndaj edhe ngriti Lidhjen e Kombeve.

I pyetur nëse Gjykata Ndërkombëtare mundet të shqyrtojë vendimet e Konferencës së Londrës, Puto sqaron: “Gjykata Ndërkombëtare është krijuar pas luftës. Ajo nuk ka pasur kompetencë të shqyrtojë apo të gjykojë vendimet e Konferencës së Ambasadorëve. Ata që besojnë se e ka këtë kompetencë, le t’i drejtohen asaj, por është krejt pa vend”.

Sipas Putos, padrejtësitë e së kaluarës ndreqen në situata të reja. “Për këtë flet shumë rasti i Kosovës. Në situata të reja, rishqyrtohen çështjet problematike dhe vendimet e marra dikur. Është e pamundur që të arrihet ndreqja e tyre njëherësh.

Kosova u rregullua edhe në sajë të integrimit europian, do vijë koha ‘të fshihen kufijtë’ dhe të realizohet një unitet më i madh se sa është sot”, shprehet Puto.

Por, a nuk tregon çështja çame se sa aktual është problemi? Për Puton, çështja çame mund të shtrohet sot vetëm në kontekstin e respektimit të të drejtave të njeriut, por jo në atë të kufijve.


Etiketa:
Arivisti Company