E enjte, 7 Maj 2015
Dyshimet se në rrethin e fshatit Vrellë të Istogut fshihet një municipum, kanë nisur të marrin fund. Arkeologët kanë rënë në gjurmë të qytetit antik që zë vend pikërisht aty. Gërmimet dhe konservimi që kanë nisur të bëhen në këtë lokalitet qysh në fund të muajit mars ka zbardhur edhe më parashikimet. Të martën ekipi i arkeologëve të Institutit Arkeologjik të Kosovës i prirë nga arkeologu Masar Valla ka hasur në absidën e bazilikës që mendohet të jetë e shekullit IV-VI.
“Fjala është për një bazilikë të antikitetit të vonë diku prej shekullit IV deri në shekullin VI që mund të ketë mbijetuar deri në shekullin XI”, ka thënë arkeologu Haxhi Mehmetaj, për detajet e gjetjeve në lokalitetin ku me ndërprerje ka pasur gërmime para katër vitesh. Sipas Mehmetajt muret që janë zbuluar më herët janë duke u konservuar përderisa paralelisht është duke u gërmuar në anën lindore të objektit.
“Kemi gjetur absidën ku edhe kemi mundësi të bëjmë rrumbullakimin e objektit që nuk e kemi ditur si do të duket në tërësi”, ka thënë ai. Tashmë sipas tij çdo gjë është definuar dhe mund të konstatohet se bëhet fjalë për bazilikë. Por gjetja e absidës i ka ndryshuar edhe pikëpamjet në lidhje me vendbanimin.
“Është thënë se aty diku në Vrellë apo diku tjetër përreth ka një municipium. Në bazë të bazilikës mund të themi se ky municipium mund të ndodhet vetëm në Vrellë”, ka thënë Mehmetaj. Sipas tij është konstatuar se vendbanimi ka një shtrirje prej 300 deri në 400 metra gjatësi dhe mund ta mbajë barrën e një municipiumi apo të një qyteti të antikitetit