Berisha: Burgimi i Fullanit, akt mafioz


E premte, 12 Shtator 2014

Tiranë – Ish-kryeministri, Sali Berisha duke komentuar për herë të parë arrestimin e Guvernatorit, Ardian Fullani e ka cilësuar këtë akt si “mafioz”.

Berisha, i cili bëri një deklarata të tillë pas vizitës në memorialin e Azem Hajdarit, me rastin e 16-vjetorit të vrasjes së tij, edhe pse arrestimi ka ardhur nga prokuroria foli për “shtet policesk” duke shkuar se ka ardhur për “mllefe politike”.

“Arrestimi i guvernatorit Fullani është një akt stalinist, i një shteti policor dhe një klike mafioze të cilën e dënoi me ashpërsi të madhe. E di që mund të këtë qytetarë që nuk e pëlqejnë këtë deklaratë. Por atyre që nuk e pëlqejnë si do u dukej para që të arrestoheshin pa u pyetur qoftë edhe një minutë se si e keni emrin”, tha Berisha.

“Kjo ndodh vetëm në shtete dhe klika policeske. Kam kërkuar dhe kërkoj hetim të gjithanshëm, të të gjithë atyre që janë në bankë, të lidhur apo të palidhur me akte të shëmtuara. Por të arrestosh Guvernatorin për mllefe politike sepse këto i kë përshkruar tek “Kurbani”, apo të arrestosh se e shoqja e Fullanit ka qenë në gjyqin që akuzojë babanë për atësinë e fëmijës!”

Ish-kryeministri e mbylli komentin e tij duke shtuar se, “mbështes një hetim të plotë transparent, por nuk mund të pranoj kurrë arrestimin stalinesk. Guvernatori shkarkohet dhe ka procedurë ligjore, atë e bën kryeministri, dhe ka tagër ligjor për të kërkuar shkarkimin, por jo pa e dëgjuar një fjalë”.

Pas Berishës për këtë çështje foli dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, sipas të cilit arrestimi i Fullanit është një vepër e stisur për interes mediatik. “Ne jemi dakord që ngjarja duhet hetuar. Ne mbështesim hetimet që personat përgjegjës të vendosen para ligjit. Shteti ligjor garanton që askush përgjegjës mos të shpëtojë dhe asnjë person i pafajshëm të mos dënohet. Është qëndrim i PD-së që vepra të tilla të stisura për interes mediatik nuk mund të ndodhin pa një shtytje të fuqishme politike në përputhje me orekset e Edi Ramës për të kapur Bankën e Shqipërisë dhe për të shfryrë mllefet të shprehura me gojën e tij ku pas arrestimit të Fullanit ai u shpreh se shumica e tij do e shkarkojë”, tha kreu i PD-së./shekulli/

Etiketa: , ,