Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Arrestohet personi që shkaktoi aksident fatal në kryeqytet

Prizren Post | 08:26 - 09.06.2013

Është arrestuar personi, i cili parmbrëmë ka goditur me veturë dy këmbësorë në Prishtinë, njëri prej të cilëve, si pasojë e lëndimeve ka vdekur. Lajmin për KTV-në e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

“Pas hetimeve intensive dje në orët e mbrëmjes, Policia e Kosovës ka arritur ta identifikojë dhe ta arrestojë personin e kërkuar, i cili ka shkaktuar aksident dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes”, ka deklaruar Kelani. I dyshimti i lindur më 1992, është arrestuar në rrugën “Nexhmi Llumnica” në Vranjevc të Prishtinës. Policia ka arrestuar edhe personin e dytë, që ishte në veturën me të cilën ishte shkaktuar aksidenti.

Ndërsa, në lagjen “Dardania” të kryeqytetit, ka gjetur veturën, me të cilën janë goditur këmbësorët. Aksidenti i rëndë ka ndodhur në orët e vona të së premtes në afërsi të rrethit, në Prishtinë, me ç’rast një këmbësor ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar. Sipas përgjegjësve në QKUK, personi i lënduar është liruar për të vazhduar trajtimin mjekësor në shtëpi.


Arivisti Company