Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Asambleja e PS-së, Rama: Kemi hyrë në një proces demokratik

Prizren Post | 14:22 - 23.04.2016

Tiranë – Në nisje të punimeve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kreu Edi Rama ka vlerësuar se “me kongresin e mbajtur dhe më pas me referendumin për mandatin e tij, PS-ja ka hyrë në një proces demokratik që do t’i shërbejë në të ardhmen”.

“Vijmë sot në këtë asamble pas një kongresi që i hapi rrugë një referendumi për herë të parë në historinë e partisë sonë por edhe në jetën politike të partive në Shqipëri. Referendumi ishte një mjet i shkëlqyer demokratik, me një pjesëmarrje inkurajuese dhe motivuese. Ajo çka ka ndodhur në këtë periudhë të fundit është një motivacion jashtëzakonisht i fuqishëm për të ecur me vendosmëri përpara”, tha kryetari i Partisë Socialiste.

Sipas Ramës, nuk është diçka që ndodh rëndom, që një parti që qeveris, partia kryesore e koalicionit, e cila prej 2 vitesh udhëheq një proces reformash, të nisë anëtarësimet e reja dhe të ketë një mbështetje kaq të madhe dhe kaq domethënëse në formën e dëshirës për të qenë pjesë e saj dhe të vullnetit për t’u anëtarësuar në radhët e saj.

“Procesi i anëtarësimeve nuk ka mbaruar, me zgjedhjet e reja do intensifikohet”, tha kryeministri.

Ai ka nënvizuar se plani për ripërtëritjen rrënjësore të forumit rinor socialist ka tërhequr mbi 4 mijë të rinj e të reja, ndërsa ka bërë thirrje për më shumë angazhim për përfshirjen e emigrantëve në vendimmarrje.

“Në 25-vjetorin e PS-së duhet të bëjmë edhe një reflektim në retrospektivë, për të parë arritjet dhe dështimet”, ka vijuar Rama.

Në fund të fjalës së tij, shefi i qeverisë ka thënë se, në këto 3 vjet qeverisje është realizuar një numër rekord reformash. “Kemi bërë më shumë reforma se asnjëherë më parë, në një kohë të shkurtër. Reformën territoriale-administrative, reformën fiskale, e të tjera”, ka thënë kryetari i PS-së.

“Jemi partia që kemi çliruar nga barra e taksave 97 për qind të shqiptarëve. Sot planifikojmë një rritje ekonomike 3.4 për qind, por mjafton të jemi mbi treshin”, ka shtuar shefi i qeverisë, për ta vënë theksin më tej edhe tek reforma në arsim e ajo në shëndetësi.


Etiketa:
Arivisti Company