Austria kërkon zgjerimin e shpejtë të BE-së edhe në Ballkanin Perëndimor


E premte, 25 Prill 2014

Vjenë, 25 prill – Bashkimi Evropian duhet të japë impulse të reja në politikën e zgjerimit të saj me qëllim që të tregohet perspektivë më e madhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat ende nuk janë anëtare të saj, deklaroi mbrëmë ministri austriak i Punëve të Jashtme, Sebastian Kurc.

Duke folur në tubimin në Vjenë, me rastin e dhjetëvjetorit të “zgjerimit të madh” të BE-së, kur në vitin 2004 në Union u pranuan 10 vende të Evropës Lindore, Kurc theksoi se perspektiva e qartë evropiane është treguar si përgjigje e mirë për frustracionet e shumë qytetarëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Përkundër mbështetjes për praninmin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kurc shprehu skepticizëm ndaj anëtarësimit eventual të Kievit në Union, duke apeluar për rishqyrtim të modelit të partneritetit drejt ish-republikave sovjetike nga Evropa Lindore, sepse, siç theksoi, synimet për anëtarësim në BE të vendeve si Moldavia dhe Ukraina “kanë sjellë probleme”.

“BE-ja duhet edhe më tej të zhvillohet që të mos e humbë hapin në planin ndërkombëtar”, potencoi Kurc në fjalimin e tij në tubim./zhurna/