Autorët e vrasjeve masive në Kosovë “enden të lirë në Serbi”


E diel, 25 Tetor 2015

Pavarësisht dëshmive bindëse, Serbia ka dështuar të ndjekë penalisht policë dhe ushtarë përgjegjës për vrasjen masive më të madhe të luftës së Kosovës, ku mbetën të vrarë 350 shqiptarë, thuhet në një raport të ri.

Njëzet autorët e dyshuar të vrasjeve të të paktën 350 shqiptarëve të Kosovës në pranverën e vitit 1999 ende jetojnë në Serbi dhe nuk janë ndjekur asnjëherë penalisht, sipas raportit të ri të publikuar të premten nga Qendra për të Drejtën Humanitare me bazë në Beograd.

Drejtoresha e Qendrës për të Drejtën Humanitare, Sandra Orlovic, tha se ishte vrasja më e madhe masive e luftës në Kosovë, por edhe një nga krimet më të mëdha të të gjitha konflikteve në ish-Jugosllavi.

“Ky është një shembull i koordinimit të njësive ushtarake dhe policore, që rezultoi në vrasjen e të paktën 350 njerëzve dhe një numër i madh civilësh u dëbuan”, tha Orlovic në konferencë për shtyp në Beograd.

Sipas saj, pavarësisht provave, shumica e të pandehurve janë ende në poste të larta brenda ushtrisë dhe policisë serbe.

“Ky raport synon gjithashtu të tregojë se ka një mosndëshkimi sistematik për krime lufte në Serbi”, theksoi Orlovic .

Raporti prej 59-faqesh i titulluar “Dosja: Operacioni Reka” është i bazuar në dokumentet dhe dëshmitë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, dokumentet shtetërore dhe dëshmitë e viktimave.

Ai thotë se mëngjesin e 27 prillit 1999, rreth dhjetë njësi policore dhe ushtarake filluan një operacion të quajtur Reka, duke filluar nga fshatrat përreth qytetit të Gjakovës.

Më pas ata hynë në fshatra me tanke, dëbuan civilët shqiptarë nga shtëpitë e tyre, u morën paratë dhe i ndanë burrat nga gratë.

Shumica e burrave u vranë. Trupat e tyre më vonë u gjetën në një varr masiv në kryeqytetin serb Beograd, ndërsa gratë dhe fëmijët ishin dërguar në Shqipëri.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë ka dënuar gjashtë zyrtarë të lartë serbë si përgjegjës për vrasjet.

Në shkurt Interpoli lëshoi një “alarm të kuq” duke bërë thirrje për arrestimin e 17 luftëtarëve të Ushtrisë Jugosllave për pranim dhe ekzekutim të urdhrave për sulm.

“Alarmet e kuqe”, gjëja më e afërt me një urdhër arresti ndërkombëtar, janë lëshuar si rezultat i hetimit dy-vjeçar nga misioni i sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë (EULEX).

Shumica e burrave të kërkuar janë aktualisht në Serbi, përfshirë një anëtar aktual të parlamentit nga Partia Progresive, Momir Stojanovic.

Por duke qenë se Serbia nuk e njeh Kosovën dhe nuk ekstradon shtetasit e saj për krime të dyshuara lufte, ajo nuk ka ndonjë detyrim për të vepruar sipas aktakuzave të EULEX-it.

Sipas Raportit HLC-së, roli i Stojanovicit në vrasje ishte “i rëndësishëm” sepse ai ishte ndër ata që planifikuan dhe nisën operacionin.

Stojanovic, i cili dëshmoi në Gjykatën e Hagës, ka mohuar të ketë kryer ndonjë krim apo të ketë qenë në dijeni të vrasjeve, duke thënë se ai mori vesh për këto ngjarje vetëm pasi varri masiv u zbulua në Batajnicë, në periferi të Beogradit, në vitin 2001.

Përveç Stojanovicit, sipas raportit, ka dëshmi të konsiderueshme që 19 oficerët e tjerë duhet të ndiqen penalisht.

Një nga të mbijetuarit e Operacionit Reka, Lush Krasniqi, nga fshati Ramoc i Kosovës, tha në një konferencë për shtyp se dy vëllezërit dhe një xhaxha i tij u vranë.

“Trupat e tyre u gjetën në Batajnicë në vitin 2005,” tha Krasniqi.

“Ne humbëm 25 vjet në luftëra. Dhe sot, do t’i pyesja ata që e bënë këtë krim – dhe disa nga ata ishin fqinjët e mi – se përse e bënë”, shtoi ai. /kallxo.com/

Etiketa: ,