Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Avokati: Profesor Zahiti u arrestua si pasojë e montimeve

Prizren Post | 10:07 - 04.07.2015

Prizren – Bashkim Zahiti, ish-dekan i fakultetit Juridik në Prizren, u arrestua si pasojë e montimeve që i bënë hetuesit e krimeve ekonomike, që janë studentë të tij, duke iu hakmarrë pse ai i kishte rrëzuar shumë herë në provime.

Kështu thotë avokati i Zahitit, Naser Sopjani, i cili mohon akuzat se klienti i tij u kap për kushtëzim të dhënies së notave me shërbime seksuale.

Sipas tij, gjithçka u bë për të diskredituar personalitetin dhe integritetin e profesorit.

“Në momentin kur është ftuar për intervistë, ka parë ish studentët e tij, hetues të krimeve ekonomike aty. Ai, duke e ditur se ishte i pafajshëm, menjeherë ka vërejtur se nga kush është bërë gjithçka”, tha Sopjani, për Klan Kosova.

Për arrestimin e Zahitit, dhe një profesori tjetër i të Universitetit të Prizrenit u njoftua më 18 qeshor, pasi policia bashkë me Prokurorinë Themelore në Prizren, njoftuan se ata u kapën me dyshimimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dhënie të fajdeve.

Dy ditë më vonë kjo ndërroi. Zahiti u tha të jetë i dyshuar për kushtëzim të dhënies së notave me shërbime seksuale.

Avokati Sopjani tha se kjo ngrit dyshimet se gjithçka ishte e montuar.

“Vepra penale për të cilën është njoftuar se e ka kryer, dhe që kishte të bënte me keqpërdorim detyre, e në anën tjetër kinse ka kushtëzuar seksualisht studentet në këmbim notave, ishin në shpërputhje, prandaj ai duke qenë doktor i shkencave juridike e ka ditur se ka manipulim dhe tendencë të hapur ndaj tij. Për këtë arsye, klienti im nuk ka dhënë fare deklaratë para policisë”, i tha ai portalit klankosova.tv.

Avokati ka shtuar se klienti i tij beson që “hetuesit e krimeve ekonomike kanë bërë, si inicimin, ashtu edhe përgjimet me tendencë personale ndaj tij”.

“Kjo për shkak se ata janë studentë të tij dhe kanë rënë në provime tek ai deri në dhjetë herë, gjë që mund të verifikohet përmes procesverbaleve”, ka thënë ai.

Mbrojtësi i profesorit po pretendon se me veprimet e ndërmarra, nuk është reflektuar drejtësi dhe pavarësi e gjyqësorit. Këtë ai e arsyeton me mungesën e provave për inicim të aktakuzës dhe me vendimin për përgjim të të akuzuarit, që sipas tij nuk është i ligjshëm.

“…Përgjimi është aplikuar për veprën penale nga neni 422 i Kodit Penal të Kosovës (pergjimi lejohet vetem për krim të organizuar, korrupsion dhe terrorizëm) dhe si i tillë është i kundërligjshëm, sepse për këtë vepër nuk është i lejuar përgjimi”, ka thënë ai. “Me përgjime është cënuar rëndë integriteti personal, jeta private e profesorit dhe intimiteti i tij”.

Sipas avokatit, këto dyshime i forcon edhe më shumë fakti që të premten, më 3 korrik, Gjykata e Apelit vendosi që profesorit Zahiti t’i hiqet masa e paraburgimit të cilën ia zëvendësoi me masën e paraqitjes në polici dhe lëndën ndaj profesorit e ktheu në rivendosje.

Ndaj, Sopjani ka thënë se pret që shumëçka të sqarohet pas intervistimit që pritet t’i bëhet studentit A.R., me kërkesë të klientit të tij.

Studenti në fjalë, kishte thënë, në një prononcim për medie, pas arrestimit të profesorit, se ky i fundit nuk duhet të kthehet më në punë, pasi ishte i përfshirë në kushtëzim të notave me seks. E për të deklaruar kështu, ai, siç pretendon ish-dekani, ishte shtyrë nga dekani aktual, Arif Rizaj, i cili, sipas pretendimit të Zahitit, i kishte dhënë leje vetëm këtij studenti të flasë për rastin, e jo edhe tjerëve.

“Deklarimi i studentit A.R., i cili pritet të dalë shpejt para komisionit disiplinor, në bazë të ankesës së klientit tim, për kanosje që i kishte bërë, vërteton tendencën ndaj tij”, ka thënë Sopjani. “Po ashtu, deklarimi i dekanit se paska pasur ankesa të tilla më herët të cilat nuk i ka raportuar aty ku është dashur, tregon tendencën e tij ndaj klientit tim”.

Dekani Arif Rizaj ka thënë se nuk flet për këtë punë, pasi nuk ka leje nga rektori i UPZ-së.

Rizaj dhe Zahiti nuk i kanë punët mirë për shkak të inateve të thella profesionale.

Klan Kosova merr vesh se në Universitetin e Prizrenit, probleme të ngjashme, deri në largim nga puna, kishin pasur edhe profesorët A.R. dhe E.S., të dy me shkollim superior, të përfunduar jashtë vendit.


Arivisti Company