Basha: Gjermania ka dhënë verdiktin kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë


E enjte, 21 Qershor 2018

Tiranë – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi nga foltorja e Parlamentit ditën e enjte se Gjermania e ka dhënë verdiktin e saj mbi hapjen e negociatave: Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet.

“Kjo mazhorancë dhe kjo qeveri e falimentuar politikisht dhe moralisht po mundohet të japë përshtypjen se gjithçka ecën normalisht. Rama është lajmëruar mbrëmë për një lajm të keq mbi negociatat. Mbrëmë, 24 orë pas takimit Merkel-Macron, është rakorduar qëndrimi përsa i përket hapjes apo jo të negociatave me Shqipërinë. Siç e di mirë Rama, lajmi është më i keqi që shqiptarët mund të prisnin, një lajm që Shqipëria nuk e meriton. Është verdikti gjerman: Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave”, tha Basha.

Seanca e Kuvendit u ndërpre më tej pas bllokimit të foltores nga Lulzim Basha. Edhe pas rifillimit të seancës, kryetari i PD-së nuk e liroi foltoren, por denoncoi se mazhoranca bllokon valët e internetit në Parlament që të mos përcillet diskursi i tij në rrjetet sociale.

“I heqin zërin opozotës dhe fusin zhurmues për të ndërprerë valët e internetit, për t’i prerë fjalën opozitës, për të ndaluar të vërtetën. Vetëm në Shqipërinë e Edi Ramës, Gramoz Ruçit, Saimir Tahirit dhe Fatmir Xhafës ndodh kjo. E hoqi fjalën sepse po thoja një të vërtetë që e di Gjermani dhe Evropa, por kryeministri e mban të fshehtë. Rama thotë se negociatat po hapen, por nuk kemi datë. Rama nuk ka bërë detyrat e shtëpisë dhe kjo është arsyeja pse gjermanët kanë marrë këtë vendim”, deklaroi Basha, njofton TCH.

Etiketa: , ,