Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Basha: Jemi të bindur për fitore në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë

Prizren Post | 09:16 - 20.06.2015

Tiranë – U mblodh mitingu i Partisë Demokratike në Tiranë, duke përmbyllur fushatën zgjedhore në të gjithë vendin.

Kreu i demokratëve u shpreh i bindur për fitore në zgjedhjet lokale jo vetëm për bashkinë e Tiranës por në të gjithë Shqipërinë.

“Dje para 24 orësh ky shesh i bukur që mban emrin e të bekuarës ngjante me sheshet e diktaturave, të ulur në formacion funerali u detyruan të durojnë për dy orë, të lodhur të dorëzuar të dëshpëruar ishin ata dje.

Ne jemi te bindur në fitore në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë. Na bashkoi ritmi i zemrave tona, jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë që më 21 qershor të themi fjalën tonë, e të mos jemi bujkrobër por mbretërit e demokracisë shqiptare. Dy vite më parë dyshja Rama-Meta mori pushtetin dhe premtoi se do të ishte në krahun e qytetarëve. Sot kjo dyshe i ul qytetarët në karrige dhe ua mbyll gojën”, u shpreh Basha.

Kreu i demokratëve akuzoi qeverinë se ka shkaktuar mijëra vende pune, dhe se nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për taksat.

“Kreu i qeverisë premtoi uljen e çmimit të energjisë dhe të naftës, dhe tani ora e pashmangshme e llogarisë po afron. Ai kërkon t’u mbyllë gojën qytetarëve”, u shpreh Basha, i cili shtoi se koalicioni i majtë ka zgjedhur kandidatë me rekorde kriminale për të gjithë kandidatët e vendit.

Basha u shpreh se mazhoranca i ka varur shpresat te oligarkia, por opozita nuk do ta lejojë, dhe as ndërkombëtarët nuk do ta lejojnë një gjë të tillë.

“Vota e të dielës është shumë më shumë. Përballë kemi dy alternativa atë të dorëzimit të Tiranës si një peshqesh të pashallarëve të oligarkisë që thonë se taksat e rritura janë drejtimi i duhur. Por ne nuk do t’i lejojmë. Ne kemi tjetër alternativë. Për ne këto zgjedhje nuk janë për të kapur karrige bashkiakësh, por kushtrimi që demokratët e kanë ndjerë që me lindjen e demokracisë”, tha Basha.


Arivisti Company