Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Basha: Të dorëhiqet Meta, i dyshuar për marrje ryshfeti

Prizren Post | 16:44 - 03.09.2015

Tiranë – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për shtyp pasditen e kësaj të enjteje për të denoncuar një akt korrupsioni të kryer, sipas tij, nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, njëkohësisht edhe kreu i LSI-së në bashkëqeverisje me PS-në.

Lulzim Basha ka akuzuar Metën se ka marrë ryshfet nga një person i arrestuar më parë për korrupsion, duke deklaruar edhe se firma e mikut të kreut të Kuvendit ka përfituar miliona euro.

Basha ka kërkuar nisjen e hetimeve për të zbuluar atë që, sipas tij, mund të rezultojë si skema më e madhe e korrupsionit në vend. “Ilir Meta ia ka dalë mbanë t’i shpëtojë drejtësisë herët e kaluara, por këtë herë, Partia Demokratike dhe opozita është e vendosur që të kërkojë dorëheqjen e kreut të Kuvendit, në mënyrë që t’u hapë rrugë hetimeve të paanshme”, tha Basha, i cili paralajmëroi gjithashtu se “nëse Rama-Meta do të tentojnë manipulimin, do të përballen me qytetarët”./TCH/


Arivisti Company