Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Bashkësia Islame e Mitrovicës dorëzon të premten kërkesën për lejen e ndërtimit të xhamisë së Ibrit

Prizren Post | 00:58 - 14.07.2016

Mitrovicë – Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur, me kërkesën e tyre, kryetarin e Bashkësisë Islame të Mitrovicës (BI), Mulla Asllan Murati, me bashkëpunëtorë.

Temë e vetme e bisedës ishte rindërtimi i Xhamisë së Ibrit, në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër, të cilën ekstremistët serbë e kishin shkatërruar tërësisht gjatë luftës së fundit. Në takim ishin të pranishëm edhe nënkryetari i komunës, Safet Kamberi dhe pronari i kompanisë “Linprojekt”, Jusuf Haxhimehmeti.

Imami Murati, i tha kryetarit Bahtiri se janë shpeshtuar shumë së fundi kërkesat e besimtarëve të fesë islame për të rindërtuar Xhaminë e Ibrit, në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër, andaj edhe kanë kërkuar këtë takim për të biseduar për këtë çështje dhe për të kërkuar mbështetjen e tij dhe të institucioneve tjera më të larta të Republikës së Kosovës.

Ai tha në vazhdim se ndonëse ka pas kërkesa të shumta të besimtarëve myslimanë për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit aty ku ka qenë që nga viti 1770, deri tash një gjë e tillë nuk është lejuar, gjë që BI dhe besimtarët i konsiderojmë jo të drejta dhe jo njerëzore pengesat e bëra.

“Besimtarët myslimanë (shqiptarë, boshnjak, turq, shkali e të tjerë) që jetojnë në lagjet veriore, gjatë gjithë këtyre viteve, në mungesë të xhamisë, nuk kanë mundur t’i kryejnë obligimet e tyre fetare ashtu si duhet. Madje ata disa herë kanë kërcënuar me ndërmarrjen e masave radikale për të realizuar të drejtën e tyre, por ne kemi punuar shumë me ta dhe i kemi evituar pakënaqësitë dhe veprimet e pakontrolluara, duke ju thënë se vetëm në mënyrë paqësore dhe ligjore do të realizojmë të drejtën tonë për të rindërtuar xhaminë aty ku ka qenë”, ka thënë imami Murati.

Sipas tij, rindërtimi i xhamisë në vendin ku ,ka qenë, nuk është bëhet kundër serbëve dhe askujt tjetër, andaj edhe nuk do të duhej që ata të bëjnë probleme në këtë drejtim, ashtu sikur që shqiptarët nuk kanë bërë kurrfarë problemi kur janë meremetuar kisha ortodokse dhe morgu në varrezat ortodokse në pjesën jugore të qytetit.

“Ne mendojmë se ka ardhur koha që xhamia të rindërtohet, andaj edhe të premten edhe zyrtarisht do të kërkojmë nga autoritetet e komunës në veri të Mitrovicës, lejen për fillimin e punimeve për rindërtimin e xhamisë, duke ofruar njëkohësisht komplet projektin dhe dokumentet tjera të nevojshme. Prandaj, kemi ardhur këtu që të kërkojmë mbështetjen tuaj dhe do të kërkojmë edhe mbështetjen e institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës, si dhe atyre ndërkombëtare”, tha kryetari i BI-së, Mulla Aslan Murati.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ju tha drejtuesve të BI-së se edhe ai ka pas shumë kërkesa të besimtarëve myslimanë për rindërtimin e xhamisë në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër.

“Unë gjithmonë i kam mbështetur këto kërkesa, duke i vlerësuar ato si të drejta dhe të pamohueshme. Por, gjithmonë ju kam thënë se rindërtimi duhet të bëhet në bashkëpunim të plotë me institucionet e Republikës së Kosovës dhe mendoj se tani ka ardhur kjo kohë. Në veri është formuar komuna dhe ajo duhet të lëshoj lejen dhe të ndihmoj rindërtimin e xhamisë në vendin ku ka ekzistuar për rreth tre shekuj e gjysmë. Ju do ta keni mbështetjen e komunës dhe besoj edhe të institucioneve komunale në veri të Mitrovicës, por edhe të atyre të Republikës së Kosovës”, tha kryetari Bahtiri.

Pronari i Kompanisë “Linprojekt”, Jusuf Haxhimehmeti, tha se e ka bërë gati projektin e xhamisë në përmasat që ka ekzistuar dhe se këtë punë e ka bërë pa kompensim./Veriu.info/


Arivisti Company