E hënë, 7 Janar 2019
PRIZREN – Bashkim Ninaj, i lindur në vitin 1976 dhe me banim në lagjen “Arbana” të Prizrenit, deri para katër muajsh ishte punëtor në kazermën e KFOR-it, mirëpo para dy muajsh, kur nga kazerma shkuan ushtarët gjermanë, edhe këtij i pushoi vendi i punës.
Si i papunë ai shkon në Ulqin për ta vizituar motrën atje, pasi që ajo kishte një lokal. Një ditë papritmas, duke shëtitur buzë detit, i zihet fryma dhe nuk arrin të ecë. Mjeku atje e viziton dhe i propozon analiza të thella. Kthehet dhe i bën në QKUK në Prishtinë, ku pastaj konstatohet se është i sëmurë nga leukemia, me diagnozën” Myeloma MULTIPLE”. Spitali turk kërkon pagesë paraprake 25 mijë dollarë.
Kjo sëmundje e Bashkimit nuk mund të përballohet me buxhetin e varfër familjar. Mjeku ia ka caktuar terapinë në gjashtë cikle Bashkimit. Secili cikël i kësaj terapie shkon nga 1500 euro, e kur i shtohet edhe trajtimi tjetër, kjo e ka rënduar tej mase gjendjen e kësaj familje, shpjegoi për gazetën “Kosova Sot” Besniki, i vëllai i Bashkimit, pasi që ai ishte ditën kur e vizituam atë në spital.
”Duke e parë këtë gjendje ne kemi kërkuar që Bashkimin ta dërgojmë në Turqi, por atje është kërkuar që paraprakisht të paguajmë 25 mijë dollarë amerikanë dhe duhet edhe udhëzimi i mjekëve. Mjekët na thanë se këtë diagnozë e trajtojnë këtu, por kostoja është shumë e lartë për këtë familje. Prandaj, jemi detyruar të kërkojmë edhe ndihmën e vullnetmirëve që ta ndihmojnë vëllain tonë. Sepse kjo lartësi prej mbi 9 mijë euro nuk mund të mbulohet nga familja”, është shprehur Besniki.
Jeta e Bashkimit po rrënohet çdo ditë. Besniki thotë se i kanë bërë kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë që t’ua mbulojë së paku një përqindje të caktuar, por ata u kanë thënë se kjo formë ndihmës tani e dy vite nuk bëhet më në ministri. “Kjo edhe na ka detyruar që të kërkojmë ndihmë, duke shpresuar se do ta gjejmë edhe mirëkuptimin e humanistëve, sepse jeta e Bashkimit është në rrezik dhe mosha e tij është e re. Besoj se do të prekë ndjenjat e atyre që kanë mundësi të ndihmojnë dhe ta shtrijnë dorën e mirësisë”, është shprehur ai.
Të gjithë ata që kanë mundësi ta ndihmojë Bashkimin, këtë mund ta bëjnë duke derdhur mjete në xhirollogarinë në ‘Raiffeisen Bank’ – Kosovë, me numrin e xhirollogarisë IBAN-XKO5 15020550002154880, me emrin Bashkim Ninaj.
Numri i telefonit kontaktues i familjes është 044 258 108. Familja e Bashkimit tanimë ka të vetmen shpresë qytetarët vullnetmirë, sepse jeta e tij çdo ditë po rrezikohet. Familja i mban shpresat se nuk do të harrohet nga bamirësit dhe nuk do të mungojë as kësaj radhe humaniteti i qytetarëve.
Familja pohon se e kanë pasur shumë të vështirë të marrin këtë vendim për të kërkuar ndihma, por duke e parë se jeta e Bashkimit po rrezikohet, si prind e vëlla i ka detyruar të kërkojnë ndihmë për shërimi e Bashkimit. Spitali i Turqisë ka kërkuar që Bashkimit t’i ndërrohet palca eshtrore, sepse sipas analizës së këtij spitali nuk ka prodhim të rruazave të kuqe të gjakut. Spitali thotë ilaçet nuk i kanë dhe se pacienti duhet t’i sigurojë jashtë Kosovës për trajtim.
Etiketa: Bashkim Ninaj