Bazat ushtarake të Turqisë e gjunjëzuan Serbinë e Millosheviqit


E mërkurë, 11 Dhjetor 2013

Bombardimet që vazhdonte NATO përmes korridoreve ajrore perëndimore e jugore që hynin në Jugosllavi, nuk po e gjunjëzonin Milosheviçin. Për këtë arsye, SHBA me Turqinë, vendosën të hapnin një korridor të ri, për ta bombarduar Serbinë nga Veriu e Lindja e saj.

Me vendimin 99/12688, datë 27 prill 1999, Këshilli i Ministrave i Turqisë, vendosi që Bazat Ushtarake Ajrore të Anadollit Perëndimor në Ballekesir dhe në Banderma, nëse ishte e nevojshme, edhe e Çorllusë në Trakën Turke, të kalonin në interes të bombardimeve kundër Serbisë. Ishte koha kur qeveria greke nuk e miratoi kërkesën e NATO-s për hapjen e korridorit të saj ajror për kalimin e avionëve ushtarake të NATO-s për në Jugosllavi. Ndërsa Bullgaria, mbas shumë hezitimesh, e miratoi korridorin ajror, që do të fillonte nga Turqia Perëndimore në Bullgari ose Rumani dhe do të përfundonte në hapësirat ajrore të Serbisë dhe Kosovës. Në bazat ushtarake të Turqisë Perëndimore do të dislokoheshin 72 avionë ushtarakë të NATO-s, nga të cilët 54 avionë F- 15 S dhe F-16 S do të ishin amerikanë dhe 18 të tjerët F-16 do të ishin të Forcave Ushtarake Ajrore të Turqisë.

Baza Ushtarake Ajrore e Çorllusë u vendos të përdorej për avionët cisternë të tipit KC-135 R dhe avionët e transportit kargo. Fillimisht do të dislokoheshin 2000 trupa amerikane. 54 avionët ushtarakë amerikanë në fund të muajit maj1999 do të ishin të gjithë të dislokuar në këto baza turke dhe do të fillonin operacionin në fjalë. Për këtë skenar ushtarak, më datën 25 maj 1999, Komandanti i Forcave të Armatosura dhe Shefi i Shtatmadhorisë Turke, gjeneral armate Hysejin Kevrekoglu, inspektoi bazën ajrore të Ballekesirit dhe vëzhgoi një stërvitje ajrore me avionë të tipit F-16 dhe F-4. Turqia vazhdonte të ishte i vetmi vend i NATO-s, që argumentonte dhe mbështeste idenë e organizimit dhe realizimit edhe të operacioneve tokësore kundër Jugosllavisë. Në këto kushte Milosheviçi u gjunjëzua. Menjëherë Turqia dërgoi dhe dislokoi në Kosovë 987 trupa ushtarake, në kuadrin e Forcës Ndërkombëtare të Paqes”.

(Rëfimi i Kolonel Hajro Limaj – Atashe ushtarak në Ankara)

Etiketa: , ,