BE: Kurti, nuk do të jetë pengesë për dialogun!


E premte, 12 Shtator 2014

image

Bruksel – Përfaqësues të Bashkimit Evropian nuk kanë asgjë kundër që dialogun e ardhshëm teknik ndërmjet Beogradit e Prishtinës t’i udhëheqë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, raporton Danas, duke u thirrur në burime të veta diplomatike.

Siç kanë thënë bashkëbisedues të “Danas”, Kurti për shkak të qëndrimeve të forta ndaj dialogut nuk ka pasur gjithmonë mirëkuptim të Brukselit, porse tani situata është ndryshuar sepse Kurti deri diku i ka zbutur qëndrimet e veta rreth bisedimeve me Beogradin, transmeton Telegrafi.

Mesazh për opinionin publik serb është se dialogu në mes të Serbisë dhe Kosovës do të vazhdojë.

“Marrëveshja e nënshkruar në mes të bllokut të opozitës dhe Lëvizjes Vetëvendosje në asnjë mënyrë nuk do të jetë pengesë për vazhdimin e dialogut. Është një dokument që ka për qëllim përgatitjen sa më të mirë të bisedimeve”, thotë Avni Arifi, këshilltar politik i Ramush Haradinajt, kandidat për kryeministër të Kosovës.

Ndërkaq, Boris Stefanovic ka thënë se “negociatat me Beogradin Kurti do t’i vazhdojë ashtu si do t’i thotë Qeveria e Kosovës”.

Sipas Danas, edhe ish-ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, nuk beson se bisedimet me Prishtinën do të ndalen pasi sipas tij “dialogu është proces i pakthyeshëm”. /Telegrafi/