E mërkurë, 27 Maj 2026

Shkup / Tiranë / Prishtinë
Myslimanët në vendet e Ballkanit e pritën me gëzim dhe atmosferë festive Kurban Bajramin, raporton Anadolu.
Që në orët e hershme të mëngjesit, mijëra besimtarë myslimanë iu drejtuan xhamive për të falur namazin e Bajramit.
Besimtarët u mblodhën në sheshe dhe xhami në kryeqytetet e rajonit, si dhe në qytete të tjera, për të marrë pjesë në lutjet dhe namazin e një prej festave më të rëndësishme islame.
– Maqedoni e Veriut
Në Shkup dhe në shumë qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut, mijëra besimtarë falën namazin e Kurban Bajramit nëpër xhami.
Ceremonia qendrore u organizua nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut dhe u mbajt në Xhaminë Mustafa Pasha në Shkup, ku gjatë programit u lexuan ajete nga Kurani dhe u interpretuan ilahi në disa gjuhë.
– Kosovë
Besimtarët e besimit islam kanë falur namazin e Kurban Bajramit edhe në xhamitë e Kosovës.
Organizimi kryesor me rastin e kësaj feste u mbajt në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fatih” në Prishtinë, ku hytben e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.
Tërnava para besimtarëve foli për forcimin e lidhjeve farefisnore dhe vlerën e humanizmit me njëri-tjetrin.
“Le të jetë kjo festë një moment reflektimi, pastrimi shpirtëror dhe ringjalljeje morale për të gjithë ne. Le të sakrifikojmë urrejtjen për dashurinë, përçarjen për unitetin, egoizmin për solidaritetin dhe indiferencën për përgjegjësinë njerëzore. Vetëm atëherë do të kuptojmë thelbin e vërtetë të Kurban Bajramit dhe do ta jetojmë mesazhin e tij në mënyrën më të denjë”, tha Tërnava.
Pas namazit të Bajramit, qytetarët i uruan festën njëri-tjetrit me mesazhe paqeje dhe dashurie, ndërsa Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë shpërndau edhe llokume për besimtarët pas namazit.
– Shqipëri
Ndërkaq, ceremonia qendrore për namazin e Bajramit në Shqipëri është mbajtur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve.
Pjesë e ceremonisë qendrore në Tiranë ishin edhe leximi i Kuranit, ligjërata dhe hytbeja.
Edhe në sheshet dhe xhamitë e qyteteve të tjera të Shqipërisë janë mbajtur programe për Kurban Bajramin.
– Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi
Xhamia Gazi Husrev Bej në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, mblodhi qindra besimtarë myslimanë që morën pjesë në faljen e namazit të Kurban Bajramit.
Edhe Xhamia Bajrakli, e vetmja xhami në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, ishte e mbushur me besimtarë të ardhur për namazin e Bajramit.
Pas faljes së namazit, besimtarët vazhduan traditën e vizitave tek familjarët dhe të afërmit, ndërsa fëmijët festuan me dhurata dhe atmosferë festive.
Kurban Bajrami shënohet gjithashtu me therjen e kurbanit si simbol i devotshmërisë ndaj Zotit, një ritual që lidhet me kohën e profetëve Ibrahim dhe Ismail.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
