E martë, 11 Qershor 2013
Kontrabanda e mallrave në veri të Kosovës është zvogëluar pas fillimit të zbatimit të marrëveshjes në fushën doganore mes autoriteteve kosovare dhe atyre serbe të arritur në Bruksel, tha drejtori i doganave Naim Huruglica, pas takimit me ministrin e financave Besim Beqaj, në të cilin është diskutuar edhe për rritjen e nivelit të të hyrave për buxhetin, por edhe çështje tjera.
Puna e përbashkët e autoriteteve doganore të Kosovës dhe Serbisë në veri të Kosovës, pas marrëveshjes së arritur në Bruksel, ka ndikuar në zvogëlimin e kontrabandës së mallrave në atë pjesë. Por kjo dukuri ende është e pranishme, ndonëse sipas legjislacionit në fuqi, eksportet e të dyja vendeve, nëse kalojnë përmes kanalit të rregullt, janë të liruara nga taksat, vlerësoi drejtori i Doganave Naim Huruglica.
Pas takimit me ministrin e Financave, Huruglica tha se dogana, përveç si institucion që mbledh më së shumti të hyra për buxhetin e shtetit, po luan një rol të rëndësishëm edhe në aspektin e mbrojtjes së popullatës nga importi i mallrave të ndaluara, e njëkohësisht po luan rolin e një instrumenti të fuqishëm shtetëror në stabilizimin e importit.
Ndërkaq, ministri i Financave, Besim Beqaj, tha se në këtë takim janë diskutuar shumë çështje, në radhë të parë për rritjen e nivelit të të hyrave, si dhe trajtimin e të gjitha bizneseve në mënyrë të barabartë.
Gjatë periudhës janar-maj të këtij viti, dogana ka grumbulluar 292 milionë euro, apo 4,5 për qind më shumë sesa gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar, por më pak sesa parashikimet. Drejtori i doganës, shfaqi bindjen se deri në fund të vitit do të realizojnë planin e paraparë për grumbullimin e të hyrave.