BIK-u dhe Kisha do të respektojnë Ligjin për mbrojtje nga zhurma


E diel, 17 Nëntor 2013

Prizren – Zhurmave në mjedis, veçanërisht në zona të banuara, parqe publike dhe hapësira të tjera të qeta, pritet t’u vijë fundi.

Me projektligjin për mbrojtjen nga zhurma, të miratuar nga Qeveria ditë më parë, pos trafikut rrugor, hekurudhor dhe ajror, që llogariten si burime të zhurmës, aty përfshihen edhe pajisjet akustike të objekteve fetare.

Kambanat e kishave, por edhe thirrjet për namaz të xhamive, sipas këtij projektligji, duhet të nivelohen deri në atë masë që të mos pengojnë qytetarët, ka theksuar Gëzime Hasani nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor.

Të prekur nga ky projektligj, zyrtarë të Bashkësisë Islame të Kosovës kanë deklaruar se thirrjet fetare nuk mund të konsiderohen zhurma, por do të jenë bashkëpunues me organet përgjegjëse. Nga ana tjetër, Don Shan Zefi, nga Kisha Katolike, ka deklaruar se do të pranojnë minimizimin, por në asnjë mënyrë eliminimin e kambanave, që është traditë mijëvjeçare.