Bogdani: Pse po e lutni Januzajn


E diel, 12 Janar 2014

Tiranë, 12 janar – Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, ka thënë se Federata Shqiptare e Futbollit nuk duhet t`i lut lojtarët si Adnan Januzaj e Valmir Berisha, pavarësisht talentit të diskutueshëm që posedojnë ata.

“Përtej faktit se janë talente të padiskutueshme (flet edhe për Valmir Berishën), gjykoj se po bëhet shumë zhurmë për këtë lojtarë, sidomos për të parin (Adnan Januzaj). Personalisht kam një mendim krejt tjetër. Më kujtohet kur kam shkuar për herë të parë në Kombëtare dhe më besoni, kisha një ndjenjë të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

“Isha si një fëmijë i lumtur që merr në dorë lodrën e parë. Nuk di sesi ta përshkruaj atë moment. Dhe më besoni, unë kam luajtur në Itali në stadiume me 60 mijë tifozë, kundër skuadrave të mëdha dhe emrave më të mirë të futbollit botëror, por kisha komplet tjetër ndjenjë, krenari dhe nder kur luaja me Kombëtaren”.

“Thënë këtë, nëse një lojtar nuk e ndien si një detyrim që të kontribuojë për ekipin përfaqësues, atëherë është më mirë që ai të mos jetë pjesë e atij ekipi”, ka thënë bomberi kuqezi Erion Bogdani./koha