Bosnja e refuzoi Kosovën si pjesë të Adriatikut


E hënë, 15 Dhjetor 2014

Tiranë – Bosnja refuzoi që Kosova të bëhet pjesë e “Kartës së Adriatikut”. Lajmi konfirmohet nga ministri jonë i Jashtëm, Ditmir Bushati, gjatë një konference për mediet. Pala boshnjake ishte shprehur se kishte probleme lidhur me anëtarësimin e shtetit kosovar në A5. Dyshimet e para janë për ndikim nga pala serbe, e cila mund t’ia ketë nënshtruar qëndrimin e saj Bosnjës.

Gjatë takimit të A5, sërish pala serbe bëri një veprim aspak të denjë. Gjatë kohës kur në sallë filloi të flitej për anëtarësimin e Kosovës, përfaqësuesi i Serbisë ishte ngritur nga karrigia dhe ishte larguar. Siç informoi dhe ministri Bushati, pavarësisht se aplikimi i Kosovës për anëtarësimin u miratua nga të gjitha vendet, përfshirë edhe SHBA-në, Bosnja votoi kundër. Në këtë mënyrë, Kosova dhe Serbia do të jenë vëzhguese dhe jo partnere.

Në deklaratën e tij, kreu i diplomacisë shqiptare nuk bëri komente lidhur me ndikimin e Serbisë ndaj Bosnjës. Bushati theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës, për sigurinë e të gjithë rajonit.

“Përfaqësimi i Serbisë dhe largimi i saj nga salla, është një qëndrim i palës serbe, unë jam i mandatuar për të artikuluar interesat e Shqipërisë. E thënë troç do të dëshironim gjithëpërfshirje në këtë nismë, e cila konsiderohet si paradhomë për anëtarësimin në NATO. Sa më shpejt ta ndajnë mendjen vendet e rajonit, aq më mirë do jetë për rajonin që mos të krijojmë boshllëqe nga pikëpamja e sigurisë”, u shpreh Bushati.

Nga ana tjetër ministri theksoi se, Shqipëria do të jetë krah Kosovës, për të mbështetur sa më shpejt anëtarësimin e saj.

“Kosova kishte dorëzuar një aplikim formal, i cili u miratua nga të gjithë vendet pjesëmarrëse, përfshirë SHBA-në, por pala boshnjake duket se kishte probleme me këtë anëtarësim. Ne do të donim të ishte partnere dhe jo vëzhguese, por kjo nuk e pengon Kosovën në tryezën e A5-s. Ajo do të vazhdojë me reformat në fushën e sigurisë dhe të shtetit, si dhe do të kemi bashkëpunim në fushën e sigurisë. Nuk më takon mua për të mbrojtur interesat e Kosovës, pasi unë mbroj të Shqipërisë. Lidhur me qëndrimin mendoj se, ishte nga faktet e njohura që kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës, subjektivitetin juridik ndërkombëtar për njohjen e saj”, deklaroi ministri i Jashtëm./shekulli/