Çejku: Abetarja, jo çështje politike, Tirana gati për negociata


E diel, 15 Shtator 2013

Shkup, 15 shtator – Projekti mbarëkombëtar për një Abetare mbarëkombëtare edhe këtë vit po lë jashtë rrethit shqiptarët e Maqedonisë.

Gjatë vitit të kaluar ajo filloi të përdoret në Shqipëri, Kosovë, Luginë të Preshevës, diasporë, por jo edhe në Maqedoni.

Në atë kohë reaguan edhe Shoqatat dhe intelektualët shqiptar, ku Lidhja e Arsimtarëve Shqiptar në Republikën e Maqedonisë dhe Shoqata e Arsimtarëve Shqiptar “Naim Frashëri” kishin dërguar edhe kërkesat zyrtare në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë.

Avzi Mustafa, profesor në Fakultetin filologjik “Bllazhe Koneski” të Shkupit ndan mendimin se shqiptarët kudo që janë, meritojnë të kenë një Abetare të përbashkët.

“Unifikimi i abetares është dëshirë e të gjithë arsimtarëve, prindërve e nxënësve shqiptar kudo qofshin ata, por kjo nuk kjo nuk është e mjaftueshme edhe për t’i bindur autoritetet përkatëse të ministrive të arsimit që këtë të bëjnë realitet. Mendoj se është koha e integrimeve, pra edhe e teksteve shkollore, andaj kujtoj se Abetarja kombëtare para se të shihet në planin kombëtar a politik, duhet të shihet në aspekt të cilësisë së arsimit e të formësimit të barabartë të nxënësve, në këtë rast të nxënësve shqiptar”, vlerëson Mustafa.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë, Nuhi Dardhishta, thekson që këtë vit nga kjo Shoqatë nuk është dërguar kërkesë drejt institucioneve shtetërore, sepse kërkesat e vitit të kaluar mbetën të shurdhra.

“LASH vitin e kaluar ka dërguar kërkesë zyrtare, por edhe tre kopje të Abetares të cilat mi kishte siguruar ministria e arsimit në Kosovë, në Ministrinë e Arsimit për përdorimin e Abetares mbarëkombëtare në sistemin arsimor të Republikës së Maqedonisë, por që nga e njëjta kemi marr përgjigje negative me arsyetim se nuk është shpallur konkurs për Abetare! Ne mendojmë që kjo çështje do të ishte zgjidhur lehtë po të ekzistonte marrëveshja për bashkëpunimin në arsim në mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, marrëveshje kjo që ka skaduar në janar të vitit 2012 dhe nuk është rinovuar që atëherë. Ne gjithashtu jemi të interesuar që në këtë marrëveshje mes tjerash së paku të bëhet unifikimi i të gjitha teksteve mësimore për gjuhë dhe letërsi shqiptare. Shoqata jonë gjithashtu ka kontaktuar edhe ish Ministrin e Arsimit të Shqipërisë Myqerem Tafaj, i cili më pas kishte deklaruar që kërkesat e kësaj ministrie në lidhje me Abetaren drejt Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë nuk kanë dhënë rezultate. Ne mbesim me shpresë që edhe qeveria e re shqiptare do të vazhdojë angazhimin rreth teksteve mësimore të gjuhës shqipe, përfshirë këtu edhe abetaren mbarëkombëtare, që të njëjtat të përdoren edhe në arsimin shqiptar në Maqedoni”, përfundon kryetari i SHASH-it, Nuhi Dardhishta.

Sipas ambasadorit të Republikës së Shqipërisë, Arben Çejku, çështja e abetares nuk duhet të shtrohet si çështje politike, por si një tekst për mësimin e gjuhës unike shqipe.

“Marrëveshja për bashkëpunim në lëmin e arsimit, që përfshinë të gjitha fushat e arsimit, si tekstet e përbashkëta, kualifikimet e përbashkëta, trajnimet e përbashkëta dhe natyrisht pas një periudhe kohore kërkon shqyrtim në frymën e kohës. Kurse, sa i përket abetares ne kemi biseduar edhe me ministrin e mëparshëm Pançe Kralev, që abetarja të vijë si një tekst shkollor ndihmës për arsimin shqiptar në Maqedoni, si një metodë unike për mësimin e gjuhës shqipe. Një gjë e tillë është bërë jashtë çdo lloj politizimi. Sipas marrëveshjes sonë duhej që një komision i përbashkët të përcaktonte përfshirjen e kësaj abetare në sistemin arsimor në Maqedoni. Për këtë çështje në dijeni është edhe zëvendësministri i arsimit në qeverinë aktuale. Çështja e abetares është pak si më specifike dhe ne si Shqipëri jemi të gatshëm për të biseduar në çdo kohë për formën e përfshirjes së abetares në tekstet shkollore të Maqedonisë si një tekst me të cilin mësohet gjuha unike, pra ne presim iniciativë nga MASH i Maqedonisë, sepse është absurde që ne të imponohemi”, vlerëson ambasadori Çejku.

Ndryshe, teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë ishte përzgjedhur më 24 prill të këtij viti. Teksti ka katër bashkë-autorë, Shezai Rrokajn dhe Mimoza Gjokutajn nga Shqipëria, si dhe Islam Krasniqin dhe Saranda Kumonova-Pozhegun nga Kosova. Abetarja e përbashkët është realizuar me nismën e dy ministrive të Arsimit, të Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që do të vazhdojë edhe lidhur me unifikimin e teksteve të tjera shkollore. (Eroll Mustafa)

Etiketa: ,