Cili ishte roli i Mbretëreshës në pezullimin e parlamentit?


E premte, 30 Gusht 2019

LONDËR – Se çfarë ka menduar Mbretëresha Elisabetë për kërkesën e kryeministrit që të pezullojë parlamentin, me gjasa nuk do të mësohet asnjëherë, por, disa gjëra, mund të thuhen me siguri.

Gjatë 67 viteve të mbretërimit të saj, Elisabeta ka qenë shumë korrekte për parimet e një monarkie kushtetuese. Një nga këto parime, është që ajo nuk përfshihet në politikë.

Ajo ka luajtur pjesën e saj me atë që edhe kritikët më të zëshëm të saj do ta pranonin që ka qenë një ndjenjë e lartë detyrë. Në këmbim, ajo dhe këshilltarët e saj, do të shpresojnë gjithnjë dhe të presin që qeveritë ti rezervojnë asaj respektin e mos përfshirjes në vendime të diskutueshme.

Pasi u bë e qartë që kryeministri do të kërkonte pezullimin e parlamentit, mbretëresha dhe këshilltarët e saj e kanë patur të qartë se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të pranojë kërkesën.

Në teori, ka fusha, të njohura si privilegje mbretërore, ku monarkja ka liri veprimi, por në praktikë, kjo liri veprimi është një fantazi. Mbretëria e Bashkuar ka një shef shteti që gjithnjë ka ndjekur precedentet dhe ka respektuar parimin se si monarke kushtetuese ajo është e detyruar të ndjekë këshillën formale të kryeministrit të saj.

Refuzimi i një këshille të tij, do të çonte në ujëra të paqarta, në të cilat monarkja do të ndjehej e predispozuar të ndiqte instiktet e saj dhe jo direktivat e një qeverie të zgjedhur. Ndaj, ajo bëri të vetmen gjë që duhej të bënte. Sidoqoftë, e gjithë kjo, ka shkaktuar nervozizëm në pallat.

Prioriteti absolut ka qenë mbajtja e Mbretëreshës larg debatit të Brexitit. Boris Johnson, kryeministri i 14 britanik i sundimit të saj, ka zgjedhur ta përfshijë në një vendim të diskutueshëm. Dhe për këtë ka shqetësim, njësoj si për pasojat e gjera të një vendimi kaq të polemizuar në një dialog kombëtar që është ndërkohë i ndezur, njofton TCH.

Etiketa: , ,